Ish-kryeministri Sali Berisha ka pritur në një takim deputetin italian Alessandro Battilocchio, drejtues i Forza Italia dhe kryetar i Komisionit Hetimor të Parlamentit Italian për sigurinë e qyteteve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha tha se Battilocchio është një mik i çmuar i Partisë Demokratike, i angazhuar dhe i interesuar për zhvillimet politike në Shqipëri. Ai e falënderoi për mbështetjen që Forza Italia ka dhënë ndaj PD-së gjatë zgjedhjeve të fundit.

Berisha e cilësoi procesin zgjedhor të 11 majit si një farsë të organizuar nga “partia-shtet”, duke akuzuar mazhorancën për abuzim masiv me burimet publike, tendera me vlerë gjysmë miliard euro dhe përdorim politik të administratës. Sipas tij, janë zhvilluar mbi 4.500 aktivitete elektorale brenda dhe jashtë vendit në shkelje flagrante të rregullave zgjedhore.

Në postimin e tij, ai foli për ekzistencën e një “narko-shteti” nën drejtimin e Edi Ramës, që sipas tij përbën një rrezik serioz për vendet fqinje, sidomos për Italinë. Berisha solli si shembull rastin e “kartelit të Troplinëve”, për të cilin ai pretendon se është tregues i lidhjeve të shtetit me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Në takim morën pjesë edhe Dott. Amadeo Folgone, këshilltar pranë Komisionit italian për sigurinë, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, Akil Kraja, si dhe kryetari i PD në Itali, Bardhok Doda.

Berisha siguroi se Partia Demokratike do të vazhdojë denoncimin e shkeljeve zgjedhore dhe do të luftojë për çbërjen e rezultatit të 11 majit, nëpërmjet fakteve dhe raporteve të cilat ai i konsideron të pakontestueshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu