Një episod i pazakontë ka ndodhur dy ditë më parë në Romë, ku një 29-vjeçar me profesion barist kërcënoi me thikë punonjësit e transportit publik Cotral, vetëm për të hipur pa biletë në autobusin që nisej nga stacioni “Laurentina” drejt qytetit bregdetar të Nettuno. Dyshohet se sjellja e të riut pa precedentë penalë, u nxit nga temperaturat e larta dhe konsumimi i tepërt i alkoolit.

Ai u arrestua menjëherë dhe u akuzua për tentativë për shantazh të rënduar dhe mbajtje pa leje të armës së ftohtë. Megjithëse gjykata konfirmoi arrestimin, ai u lirua pas një nate në burgun “Regina Coeli”, në pritje të procesit gjyqësor që parashikohet të mbahet në shtator.

Ngjarja ndodhi të martën, rreth orës 10:00. Autobusi i linjës Cotral ishte gati për nisje, kur 29-vjeçari, i zhveshur nga pjesa e sipërme dhe në gjendje të rënduar, tentoi të hipte pa biletë. Shoferi dhe kontrollori ia mohuan hyrjen, por ai nxori një thikë dhe nisi të kërcënonte, duke deklaruar:

“Duhet të më lësh të hip, se unë e di që ju rrini gjithmonë këtu dhe do t’ju kap përsëri.”

Policia mbërriti brenda pak minutash. Sapo pa uniformat, i riu ndryshoi sjellje në mënyrë të menjëhershme – nuk tha më asnjë fjalë dhe u shoqërua pa rezistencë drejt komisariatit.

Në seancën e djeshme në gjykatë, ai shprehu pendesë dhe pranoi se kishte konsumuar alkool dhe se ishte grindur me një prej punonjësve të Cotral. Tha se donte vetëm të shkonte në det për pak pushim, duke theksuar se nuk kishte bërë kurrë më parë diçka të tillë.

Qëndrimi i tij i qetë dhe i edukuar në sallën e gjyqit befasoi prokurorin dhe gjyqtarin, por kjo nuk e shpëton nga përballja me drejtësinë në shtator – për një akt që, sado i papërgjegjshëm, mbetet serioz dhe i rrezikshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu