Ministri i Shtetit, Taulant Balla, mori pjesë në edicionin e 27-të të Simpoziumit të Symit, me ftesë të veçantë nga ish-kryeministri grek Jorgo Papandreu.

Simpoziumi i Sym-it, i zhvilluar këtë vit në Skiathos të Greqisë dhe organizuar nga Fondacioni “Andreas Papandreu”, nën kujdesin e ish-kryeministrit grek Jorgo Papandreu, bëri bashkë liderë politikë, ministra, ambasadorë, akademikë dhe përfaqësues të shquar të shoqërisë civile.

Me temën “Paradoksi i Pandorës: Zbulimi i Shpresës në një Botë të Trazuar”, diskutantët folën mbi sfidat me të cilat përballen demokracitë dhe shoqëritë moderne, si dhe rrugët për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme.

“Gjatë Simpoziumit u trajtuan sfidat globale që vazhdojnë të vënë në provë vlerat demokratike, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe qëndrueshmërinë e shoqërive tona. Njëkohësisht, diskutimet dhe bisedat u fokusuan tek mundësitë dhe rrugët drejt shpresës që lindin mes kësaj situate globale të trazuar,” shkruan Balla në një postim në rrjete sociale.

Ministri foli në panelin “Ujëra të Trazuar, Brigje të Përbashkëta: Pushtet, Konflikt dhe Mundësi në Mesdhe”, përkrah figurave të njohura ndërkombëtare si ish-kryeministri i Tunizisë Mehdi Jomaa, ish-sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe Amr Moussa, ish-zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov, profesori i Universitetit George Washington Harris Mylonas, drejtori i Programit për Turqinë në Institutin e Uashingtonit Soner Cagaptay dhe eksperti i FMN-së Yahia Said nga London School of Economics.

Diskutimet në këtë panel u përqendruan në rolin e Mesdheut në një kohë konfliktesh dhe pasigurie, si dhe mbi nevojën për bashkëpunim rajonal për përballimin e sfidave të përbashkëta.

Prej më shumë se një çerek shekulli, Simpoziumi i Symit është kthyer në një pikëtakim unik për ide, reflektim dhe veprim konkret, që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e drejtësisë sociale, paqes dhe demokracisë në mbarë botën.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu