Një gjykatës në Manhatan hoqi të martën disa nga kufizimet e vëna ndaj zotit Trump për të komentuar publikisht ndaj dëshmitarëve dhe anëtarëve të jurisë në gjyqin penal për rastin e pagesës për të blerë heshtjen. Zoti Trump u gjet fajtor nga juria. Disa nga kufizimet e tjera do të vazhdojnë të jenë në efekt derisa të vendoset masa e dënimit më 11 korrik.

Vendimi i gjykatësit Juan M. Merchan, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga debati i së enjtes mes zotit Trump dhe Presidentit Joe Biden, e mundëson kandidatin republikan që t’i vazhdojë sulmet kundër ish avokatit të tij Michael Cohen, aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe dëshmitarëve të tjerë të gjyqit.

yacht hotel sarande

Më 30 maj, një juri në Nju Jork e shpalli zotin Trump fajtor lidhur me akuzat për falsifikimin e të dhënave të biznesit për të fshehur një skandal të mundshëm seksual, duke e bërë atë ish presidentin e parë amerikan që gjendet fajtor për një vepër penale.

Në vendimin prej pesë faqesh, gjykatësi Merchan shkruan se urdhëri kishte për qëllim të “mbronte integritetin e procedurave juridike” dhe se kjo mbrojtje për dëshmitarët dhe juristët nuk është e nevojshme tani pasi gjyqi ka përfunduar dhe juria është shpërndarë.

Gjykatësi Merchan shkruan se kishte “bindje të forta” që të vazhdonte ta ndalonte zotin Trump që të komentonte për anëtarët e jurisë, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë, por ai nuk mund ta justifikonte një gjë të tillë.

Gjykatësi la në fuqi një urdhër të veçantë që e ndalonte zotin Trump dhe avokatët e tij që të zbulonin identitetin e juristëve ose adresat e tyre. Avokati i ish Presidentit Trump, Todd Blanche tha pas vendimit se ekipi i mbrojtjes i ka shkatërruar ato të dhëna.

“Ka prova të mjaftueshme për të justifikuar shqetësimin e vazhdueshëm për anëtarët e jurisë”, shkruante gjykatësi Merchan në vendimin e së martës.

Gjykatësi Merchan gjithashtu la në fuqi urdhrin që zoti Trump nuk mund të komentojë për punonjësit e gjykatës, ekipin e prokurorisë dhe familjet e tyre derisa të merret vendimi për dënimin e ish presidentit, duke shkruar se ata duhet të “vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre ligjore pa kërcënime, frikësime, ngacmim dhe dëmtime”.

Këto kufizime nuk e ndalojnë zotin Trumpin që të komentojë për vetë gjykatësin apo prokurorin Alvin Bragg, zyra e të cilit e ndoqi çështjen.

Avokatët e zotit Trump i kishin kërkuar gjykatësit Merchan që ta hiqte plotësisht urdhrin, duke argumentuar se nuk kishte asgjë që justifikonte kufizimin e të drejtave të ish presidentit në bazë të Amendamentit të Parë pas përfundimit të gjyqit. Ish Presidenti Trump ka thënë se urdhri për kufizimin e pengoi atë që të mbrohej ndërsa zoti Cohen dhe zonja Daniels vazhduan ta sulmonin atë.

Falsifikimi i të dhënave të biznesit është një vepër penale për të cilën parashikohet një dënim me burg deri në 4 vjet, edhe pse prokurorët nuk janë shprehur nëse do të kërkojnë dënim me burg dhe është e paqartë nëse gjykatësi do të caktonte një masë të tillë edhe nëse i kërkohej. Dënimi, apo edhe burgimi, nuk e pengon zotin Trump që të vazhdojë garën për Shtëpinë e Bardhë.

Prokurorët thonë se zoti Trump falsifikoi të dhënat e biznesit për të fshehur rimbursimet për ish avokatin e tij Michael Cohen, i cili e pati paguar aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels 130 mijë dollarë gjatë javëve të fundit të fushatës elektorale të vitit 2016, që ajo të mos i bënte publike pretendimet e saj për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump një dekade më parë.

Ish presidenti dhe njëkohësisht kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane ka deklaruar se është i pafajshëm. Ai ka mohuar të ketë patur marrëdhënie seksuale me zonjën Daniels dhe thotë se pagesat për zotin Cohen u evidentuan siç duhet në regjistrat e kompanisë, si shpenzime ligjore./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu