
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Romë ku mori pjesë në “Ukraine Recovery Conference 2025”, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti, që ka si qëllim mbështetjen për Ukrainën dhe rindërtimin e saj pas pasojave shkatërruese të luftës.
Në momentin e mbërritjes, Kryeministri Rama është pritur nga Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Kreu i qeverisë ndau në rrjetet sociale edhe fotoalbumin e ditës së sotme në “Ukraine Recovery Conference 2025” – Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës në Romë.
Ky forum, i mbështetur nga liderët botërorë, përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, G7-ës, organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare dhe sektorit privat, ka si qëllim koordinimin e ndihmës konkrete dhe investimeve strategjike në sektorët kyç në Ukrainë.
Kryeministri Rama iu drejtua këtij forumi me fjalën e rastit, duke theksuar angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur Ukrainën në këtë periudhë të vështirë dhe për të kontribuar në procesin e rindërtimit të vendit pas luftës./atsh