Ukraina ka pësuar sulmin më të rëndë ajror që nga fillimi i luftës, me 728 dronë dhe 13 raketa balistike apo lundruese që goditën qytete në të gjithë vendin gjatë natës, sipas presidentit Volodymyr Zelensky.

“Sulmi i sotëm vjen në një moment kur janë bërë përpjekje të mëdha për paqe dhe armëpushim, por vetëm Rusia i refuzon të gjitha,” deklaroi Zelensky.

Sulmi masiv ndodhi pak pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kritikoi ashpër homologun rus, Vladimir Putin, duke thënë:

“Na hedh shumë budallallëqe Putini, nëse doni të dini të vërtetën. Sillet mirë, por nuk ka asnjë kuptim.”

Trump gjithashtu njoftoi një rikthim të ndihmës ushtarake për Kievin, pasi javën e kaluar ishte pezulluar pa dijeninë e tij. Mediat amerikane raportojnë se tani pritet që Ukraina të marrë 10 raketa Patriot, shumë të nevojshme për të ndaluar sulmet ajrore ruse.

Nga ana tjetër, Kremlini reagoi i qetë ndaj deklaratave të Trump. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha:
“Ne e njohim stilin e Trumpit. Ai gjithmonë shprehet me fjalë të ashpra.”

Fronti i luftës

Ndërkohë, sulmet ruse kanë prekur edhe Lutskin, pranë kufirit me Poloninë, një qytet strategjik për kalimin e ndihmave ushtarake dhe humanitare. Po ashtu janë goditur qytetet perëndimore Lviv dhe Rivne.

Nga ana tjetër, Rusia raportoi një sulm të Ukrainës me dronë në rajonin kufitar të Kurskut, ku humbën jetën tre persona, mes tyre një fëmijë 5-vjeçar.

Pa armëpushim në horizont

Dy raunde bisedimesh për armëpushim u zhvilluan këtë vit, por nuk sollën rezultate. Tani as Moska dhe as Kievi nuk shfaqin optimizëm për zgjidhje diplomatike.

Zelensky ndodhet në Romë për Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës, ku u takua me Papën Leo dhe pritet të takohet me të dërguarin amerikan Keith Kellogg. Gjithashtu pritet pjesëmarrja e disa liderëve europianë, përfshirë kancelarin gjerman Friederich Merz, i cili tha se “mjetet diplomatike janë shteruar” dhe premtoi ndihmë me mbrojtje ajrore për Ukrainën.

Në lindje, Rusia vijon ofensivën e saj verore, me Peskov që deklaroi:
“Çdo ditë e re sjell realitete të reja që Ukraina duhet t’i pranojë.”

Lufta, që nisi me pushtimin rus në shkurt 2022, vijon pa asnjë shenjë ndalimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu