
SAN FRANCISCO – OpenAI është në prag të lançimit të një shfletuesi të ri të internetit, që do të përdorë inteligjencën artificiale dhe që synon të sfidojë dominimin e Google Chrome në tregun global. Lajmin e kanë konfirmuar për Reuters disa burime pranë kompanisë.
Sipas këtyre burimeve, shfletuesi i ri pritet të dalë në javët e ardhshme dhe do të ndryshojë mënyrën se si përdoruesit ndërveprojnë me internetin. Ndryshe nga shfletuesit tradicionalë, ai do të integrojë një ndërfaqe bisede të ngjashme me ChatGPT dhe do të lejojë përdorimin e agjentëve AI që mund të kryejnë detyra në vend të përdoruesit, si prenotime apo plotësim formularësh.
Ky hap përforcon garën midis OpenAI dhe Google për dominimin në tregun e AI-së dhe të të dhënave të përdoruesve, pasi Chrome është një burim kryesor të ardhurash për Google, falë të dhënave që mbledh për të targetuar reklama.
Nëse do të adoptohet nga mbi 400 milionë përdoruesit aktivë të ChatGPT, shfletuesi i ri mund të rrezikojë pozitat e Google në këtë treg strategjik. Sipas burimeve, shfletuesi i OpenAI është ndërtuar mbi bazën e Chromium-it, të njëjtit kod open-source që përdor edhe Google Chrome.
OpenAI nuk ka komentuar zyrtarisht për këtë zhvillim, por ky projekt vjen pas planeve të saj për të zgjeruar praninë në jetën e përditshme dhe profesionale të përdoruesve, duke u futur gjithashtu edhe në prodhimin e pajisjeve harduerike.
Aktualisht, Google Chrome mban mbi dy të tretat e tregut global të shfletuesve, ndërsa konkurrentët si Safari i Apple dhe Edge i Microsoft kanë përqindje dukshëm më të ulëta. Megjithatë, me këtë shfletues të ri, OpenAI synon të kapë një pjesë të rëndësishme të këtij tregu fitimprurës.