Të paktën 24 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve të fuqishme që kanë përfshirë Kerr County në shtetin e Teksasit, SHBA. Ndër viktimat dhe personat e zhdukur raportohet se ka edhe fëmijë që ndodheshin në një kamp veror në zonë.

Zëvendësguvernatori i Teksasit, Dan Patrick, i cili aktualisht është në detyrë si guvernator për shkak të mungesës së Greg Abbott, bëri me dije se rreth 20 fëmijë nga kampi “Camp Mystic”, ku ndodheshin rreth 700 fëmijë, janë ende të zhdukur. Ai theksoi se ngritja e papritur e nivelit të lumit Guadalupe me plot 8 metra për vetëm 45 minuta ka shkaktuar një përmbytje shkatërruese, duke marrë me vete jetë njerëzish dhe prona.

“Po flasim për një përmbytje katastrofike. Prindërit që nuk janë kontaktuar, të qetësohen, fëmijët e tyre janë të identifikuar dhe të sigurt. Ata që nuk janë lokalizuar mund të jenë thjesht jashtë komunikimit,” deklaroi Patrick.

Në Kerr County dhe zonat përreth janë shpallur gjendje emergjence për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme që sollën përmbytje të rrufeshme. Autoritetet lokale raportojnë për operacione të vazhdueshme kërkim-shpëtimi dhe evakuimi që nga mëngjesi i së premtes, ndërsa paralajmërojnë për mundësi përmbytjesh të tjera në vijim.

Guvernatori Abbott deklaroi se janë vënë në dispozicion të gjitha burimet shtetërore për ndihmë në zonat e prekura si Kerrville, Ingram dhe Hunt.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë lumenj të tejmbushur që kanë përmbytur ura dhe rrugë, duke krijuar rryma të rrezikshme uji që përplasen në qytetet e zonës.

Autoritetet kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet dhe të mos tentojnë të kalojnë rrugët e përmbytura. “Mos merrni rreziqe të panevojshme. Qëndroni të informuar dhe ndiqni paralajmërimet e emergjencës,” tha Sid Miller, komisioneri i Bujqësisë në Teksas.

Ndërkohë, edhe në New Jersey, tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një stuhie të fortë shoqëruar me reshje të dendura dhe erëra të fuqishme. Dy burra, 79 dhe 25 vjeç, humbën jetën kur një pemë ra mbi automjetin e tyre në Plainfield, ndërsa një 44-vjeçare u vra në një incident të ngjashëm në North Plainfield.

“Zemrat tona janë të rënduara sot,” tha kryetari i Bashkisë së Plainfield, Adrian Mapp. “Kjo tragjedi është një kujtesë e dhimbshme e fuqisë së natyrës dhe brishtësisë së jetës.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu