
Centrali Bërthamor i Zaporizhias (ZNPP), i pushtuar nga forcat ruse që prej fillimit të agresionit në Ukrainë, ka humbur të gjitha linjat e jashtme të furnizimit me energji elektrike – një zhvillim i rrezikshëm që ka rritur frikën për një katastrofë të mundshme bërthamore.
Lajmin e bëri të ditur Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), e cila konfirmoi se që nga ora 17:36 me orën lokale të premten, centrali është pa energji elektrike nga jashtë dhe po mbështetet vetëm te gjeneratorët emergjentë me naftë.
Pa energji për herë të 9-të
Ky është blackout-i i nëntë që nga fillimi i luftës në shkurt 2022 dhe i pari që nga fundi i vitit 2023. Edhe pse të gjashtë reaktorët janë aktualisht të fikur, sistemi i ftohjes kërkon energji të vazhdueshme për të shmangur mbinxehjen e karburantit bërthamor.
Akuza ndaj Rusisë
Ministri i Energjisë së Ukrainës, German Galushchenko, akuzoi Rusinë për dëmtimin e linjës së energjisë që lidhte centralin me rrjetin elektrik. Ai deklaroi se ky veprim minon sigurinë radiologjike dhe rrit rrezikun për një aksident të rëndë bërthamor.
Centrali i Zaporizhias, që nuk po prodhon më energji, vazhdon të jetë i pushtuar nga trupat ruse dhe nën monitorimin e IAEA-së, inspektorët e së cilës kanë raportuar në maj se nuk ka lëvizje konkrete nga Rusia për ta riaktivizuar centralin.
Frika për një katastrofë bërthamore është rikthyer, ndërsa komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për ulje tensionesh dhe garanci për sigurinë e objekteve bërthamore.