
Jo vetëm ushtarët izraelitë, por edhe rojet e sigurisë, të punësuara nga Shtetet e Bashkuara dhe të vendosura për të mbrojtur qendrat e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës po përdorin municion të vërtetë, granata trullosëse dhe sprej djegës ndaj civilëve palestinezë që përpiqen të marrin ushqime.
Lajmi publikohet nga prestigjiozja Politico, që citon dëshmitë e dy kontraktorëve amerikanë anonimë, të cilët denoncojnë përdorimin e forcës nga personel i armatosur, i patrajnuar dhe me dukje i autorizuar për të vepruar pa asnjë kontroll.
Sipas tyre, në disa raste është qëlluar në ajër, në tokë dhe në drejtim të civilëve.
“Ka njerëz të pafajshëm të plagosur. Rëndë. Kot,” ka deklaruar një nga burimet.
Videot e analizuara nga Politico tregojnë qindra palestinezë të grumbulluar pas portave metalike, ndërsa dëgjohen të shtëna armësh, shpërthime dhe britma nga spreji djegës.
Disa pamje përfshijnë biseda mes burrash që flasin anglisht dhe diskutojnë mënyra për të shpërndarë turmat. Materialet e publikuara ofrojnë një vështrim të rrallë në aktivitetin e Gaza Humanitarian Foundation (GHF), një organizatë amerikane e krijuar në shkurt 2024 për të menaxhuar drejtpërdrejt shpërndarjen e ndihmave në Gaza.
Kjo organizatë është financuar nga qeveria amerikane me një shumë prej 30 milionë dollarësh dhe mbështetet gjithashtu nga Izraeli, megjithatë burimet dhe mënyra e përdorimit të fondeve mbeten kryesisht të paqarta.
Sipas Politico, denoncimet ngrenë shqetësime serioze për trajtimin e civilëve palestinezë në situata humanitare dhe rolin e kontraktorëve të huaj në operacionet e ndihmave në një zonë lufte, ku tensionet janë të skajshme dhe rreziku për abuzim është i lartë./tvklan