
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë, të cilat janë neutralizuar plotësisht falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve zjarrfikëse dhe strukturave të mbrojtjes civile.
Zjarret janë evidentuar në bashkitë e Vlorës, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe, Rrogozhinës, Durrësit, Fierit, Kuçovës, Lezhës, Kurbinit dhe Hasit, kryesisht në zona me bimësi të dendur. Si pasojë, janë djegur rreth 9 hektarë me shkurre dhe barishte, si dhe 200 rrënjë ullinj në fshatin Frakull, bashkia Fier.
Në dy raste, zjarret kanë përfshirë edhe banesa. Një prej tyre ndodhej në fshatin Zagorë, bashkia Malësi e Madhe, dhe tjetra në një shtëpi të pabanuar në zonën e quajtur “Mali i Kolajt”, në Velipojë. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 32 automjete zjarrfikëse dhe 223 forca operacionale, të cilat kanë vepruar me efikasitet në gjithë territorin.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave për ditën e sotme, disa qarqe përballen me një nivel rreziku “të lartë” për zjarre, përkatësisht: Lezha, Durrësi, Tirana, Berati dhe Fieri. Në qarqet e tjera rreziku vlerësohet “i moderuar”.
Autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë, ndërsa apelojnë për kujdes maksimal nga qytetarët, veçanërisht në këto ditë me temperatura të larta. Ndezja e zjarreve në natyrë, djegia e mbetjeve apo hedhja e objekteve të ndezshme, përbëjnë rrezik real për përhapje flakësh.
Çdo rast duhet të raportohet menjëherë tek strukturat përkatëse. Bashkëpunimi i qytetarëve është jetik për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.