
Policia greke ka goditur një organizatë kriminale që trafikonte sasi të mëdha municionesh nga Shqipëria drejt ishullit të Kretës. Në një operacion të koordinuar mes autoriteteve të Kretës dhe të Maqedonisë së Egjeut, janë arrestuar pesë persona, ndër ta edhe një shtetas shqiptar.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar:
- 24,126 fishekë,
- një armë zjarri ushtarake,
- tre automjete (përfshirë një kamion me ndarje të fshehtë),
- 900 euro.
Sipas hetimeve, grupi vepronte që prej prillit 2025. Ata siguruan municionin në kufirin shqiptaro-grek përmes një rrjeti të organizuar me role të ndara. Municionet futeshin në Greqi nëpërmjet një kamioni të përshtatur me ndarje sekrete dhe më pas transportoheshin në Kretë për t’u shitur.
Roli i secilit anëtar ishte i qartë:
- Organizatori 65-vjeçar mblidhte porositë, mbikëqyrte furnizimin dhe bënte shpërndarjen në Kretë me motor,
- 72-vjeçari ishte drejtuesi i kamionit të përshtatur,
- 73-vjeçari ndihmonte me transportin deri në kufi dhe kthimin në ishull,
- 41-vjeçari shqiptar siguronte municionin nga një bashkatdhetar i tij dhe e dorëzonte në kufi.
Anëtarët përdornin masa të rrepta sigurie: udhëtonin me kamion të regjistruar në emër të një të ndjeri, çaktivizonin telefonat gjatë transportit dhe përdornin identitete false për bileta trageti.
Në Kastoria u arrestua edhe shqiptari që dorëzonte municionin, ndërsa në Kretë u ndalua një 30-vjeçar që kishte blerë fishekë nga grupi.
Një nga të arrestuarit, 65-vjeçari, rezulton të ketë qenë i përfshirë në një rast të ngjashëm edhe në vitin 2019 dhe ishte nën masë sigurie.
Të arrestuarit do të përballen me akuza për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të paligjshëm të armëve. Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të identifikuar të gjithë rrjetin dhe bashkëpunëtorët në Shqipëri.
Burimi: ekriti.gr / antilalospress.gr