Seanca e parë gjyqësore e themelit për çështjen e njohur si “Partizani” u shty këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme.

Në bankën e të pandehurve janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja, Fatmir Bektashi, Andia Pustina, si dhe dy kompani private, Homeplan shpk dhe Kontakt shpk.

Seanca u drejtua nga trupa gjykuese me kryesuese Elsa Ulliri dhe anëtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.

Mungesa e disa të pandehurve, mes tyre edhe Sali Berisha dhe Fatmir Bektashi (ky i fundit për arsye shëndetësore), bëri që gjykata të vendosë shtyrjen e seancës. Edhe Andia Pustina mungoi fizikisht, duke kërkuar të përfaqësohej nga avokati i saj Klodian Skënderi.

Avokatja e Berishës, Klodiana Gjyzari, deklaroi se nuk ka informacion nëse klienti i saj është njoftuar për seancën. Nga ana tjetër, rezultoi se fletëthirrja për Berishën ishte dorëzuar dhe firmosur nga Jamarbër Malltezi, i cili në sallën e gjyqit pranoi se nuk e kishte njoftuar Berishën.

Prokurori i SPAK, Arben Kraja, theksoi se as Berisha dhe as kompania Homeplan nuk janë të njoftuar zyrtarisht për këtë seancë. Për këtë arsye, SPAK kërkoi shtyrjen e procesit.

Gjykata pranoi kërkesën dhe vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 21 korrik, në orën 10:30.

Kujtojmë se Sali Berisha ndodhet nën masën “detyrim paraqitje”, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, vijon të qëndrojë në arrest shtëpie.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu