
Shqipëria po hyn me hapa të mëdhenj në hartën globale të turizmit ultra-luksoz, duke u bashkuar me destinacione prestigjioze si SHBA-ja, Japonia, Zvicra, Italia, Franca dhe Arabia Saudite. Sipas “Travel and Tour World”, vendi ynë tashmë synon të tërheqë turistë të pasur dhe me shije të rafinuar përmes projekteve ambicioze si ai në Ishullin e Sazanit, ku biznesmeni amerikan Jared Kushner ka marrë përsipër zhvillimin e një kompleksi prej 1.4 miliardë dollarësh.
Sazani – ishulli dikur i ndaluar gjatë regjimit komunist – do të kthehet në një magnet turistik me resorte luksoze, hotele pesë yje, marina për jahte dhe restorante të klasit botëror. Vetëm 8% e ishullit do të preket nga ndërtimet, duke ruajtur kështu pjesën më të madhe të natyrës së virgjër.
Qeveria shqiptare ka hyrë si partnere përmes krijimit të një kompanie shtetërore zhvillimi dhe i ka dhënë projektit statusin e një “Investimi Strategjik”, duke përshpejtuar procedurat dhe hequr barrierat burokratike. Kjo lëvizje jo vetëm që premton përfitime ekonomike, por i jep Shqipërisë një rol vendimtar në formësimin e këtij destinacioni elitar.
Projekti pritet të krijojë mbi 1,000 vende pune dhe të nxisë zhvillimin e turizmit cilësor jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin e Ballkanit, ndërsa shton bashkëpunimet me aktorë të rëndësishëm globalë, si Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite.
Kjo nismë vjen në një kohë kur turistët e pasur kërkojnë përvoja autentike dhe të personalizuara, larg turmave të zakonshme. Shqipëria, me natyrën e paprekur dhe pozicionin strategjik në Adriatik, shihet si një alternativë premtuese ndaj vendeve të mbipopulluara të Mesdheut.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Shqipëria do të arrijë të ruajë ekuilibrin delikat mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit e trashëgimisë kulturore.
Transformimi i Ishullit të Sazanit mund të shënojë fillimin e një epoke të re për Shqipërinë – nga një vend me turizëm të lirë në një lojtare të denjë të luksit europian. Tashmë, sytë e botës janë të drejtuar nga brigjet shqiptare.