
Tiranë – Qindra qytetarë iu bashkuan mbrëmjen e djeshme një ceremonie përkujtimore me qirinj të ndezur në nderim të viktimave të gjenocidit në Çamëri, me rastin e 81-vjetorit të këtij akti tragjik që mbetet një nga plagët më të thella në historinë shqiptare.
Gazetari dhe aktivisti i njohur Marin Mema, i cili ka qenë një zë i palodhur në mbrojtje të së vërtetës historike për Çamërinë, ka ndarë një mesazh prekës pas ngjarjes:
“Faleminderit qytetarëve të shumtë të Tiranës që iu bashkuan me zemër thirrjes për të përkujtuar, me qirinj të ndezur, 81-vjetorin e gjenocidit në Çamëri. Çdo qiri i ndezur ishte një akt kujtese. Një dritë për shpirtin e njerëzve të pafajshëm që humbën jetën mizorisht. Një simbol për të mos harruar, për të mbajtur gjallë kujtimin e tyre dhe për të kërkuar drejtësi. Drejtësi – jo hakmarrje.”
Në tubimin përkujtimor morën pjesë qytetarë nga shumë zona të Shqipërisë, duke treguar se çështja çame nuk është vetëm histori, por pjesë e ndërgjegjes kombëtare.
“Çamëria nuk është thjesht një plagë historike – është një pjesë e pandarë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Ashtu si çdo pëllëmbë e trojeve shqiptare, ajo na përket të gjithëve”, shkroi më tej Mema.
Me një ton reflektues dhe të vendosur, gazetari theksoi se kjo është vetëm një nisje e re për ta mbajtur të gjallë kujtesën dhe për të kërkuar drejtësi:
“Ky është vetëm fillimi. Kujtesa është detyrim. Zëri për drejtësi nuk do të shuhet.”