EDIRNE (AA) – Qytetarët në qytetin Edirne të Turqisë vendosën kurorë të zezë para konsullatës së Greqisë me rastin e 81-vjetorit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, raporton Anadolu.
Anëtarë të organizatave të shoqërisë civile, të cilët u mblodhën nën organizimin e Konfederatës së Turqve të Rumeli-Ballkan, u mblodhën përpara Konsullatës greke në Edirne.
Grupi, duke mbajtur flamurin e Turqisë në duar, vendosën një kurorë të zezë me fjalët “Nuk e kemi harruar gjenocidin ndaj Çamërisë”.
Mehmet Kamar, i cili bëri një deklaratë në emër të grupit, tha se 81 vjet më parë në rajonin e Çamërisë ndodhi një masakër e madhe.
Duke theksuar se Greqia duhet të pranojë gjenocidin që kreu në Tripoli, Peloponezi dhe Çamëri, Kamar tha:
“Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në vitin 1994 ligjin për shpalljen e 27 qershorit si ‘Dita e përkujtimit të gjenocidit ndaj Çamërisë’. Arsyeja pse jemi këtu sot është për të treguar se nuk e kemi harruar atë që ndodhi në Çamëri dhe nuk do ta lejojmë të harrohet. Duke kujtuar se duhet të mësojmë nga e kaluara dhe të ndërtojmë të ardhmen mbi paqen, jo mbi urrejtjen, i ftojmë zyrtarët grekë, të cilët bëjnë akuza të padrejta dhe të mbushura me urrejtje kundër Turqisë në çdo rast, të përballen me historinë e tyre dhe theksojmë edhe një herë rëndësinë e kësaj.”
“Si një organizatë e shoqërisë civile që ka përvetësuar fjalët e Ataturkut të madh, ‘Paqe në atdhe, paqe në botë’, të cilat i konsiderojmë shumë të vlefshme, si parim, ne dëshirojmë të ndërtojmë një të ardhme paqësore, veçanërisht në rajonin tonë dhe në të gjithë botën, dhe vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim me besim”, tha Kamar.
– Gjenocidi në Çamëri
Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të kulmonin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.
Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të shqiptarëve të Çamërisë, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.
Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë myslimanë të Çamërisë, që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në vitin 1994 ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”./Anadolu Ayansi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu