Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit rikthen në skenë një nga veprat më të fuqishme të repertorit botëror, “Carmina Burana” e kompozitorit gjerman Carl Orff.

Vepra njihet për intensitetin e saj ritmik, koralet monumentale dhe në qendër të saj qëndron ideja e ciklit të jetës, që luhatet mes dashurisë, dëshirës, pasionit dhe ironisë së fatit njerëzor.

Të gjitha këto elementë vijnë në një bashkëpunim të plotë mes 170 artistësh të trupës së korit, solistëve dhe orkestrës së teatrit.

“Në një nga pjesët e saj flet për dashurinë e një vajze në lëndinë, për delikatesën, për epshet që ajo përmban, për dashurinë që përçon përreth vetes dhe përveç përmbajtjes që ka personazhi im e gjithë vepra është jashtëzakonisht shumë emocionuese, ku imapkti i parë duket sikur flet për rrotën e fatit, ajo rrotë fati e cila të ngre dhe të ul po aq fuqishëm me apo pa dijeninë tënde të ngre në lavdi dhe të rrëzon në fundet e tua ashtu sikurse jeta vet. Mënyra se si është shkruar ana muzikore është rrëqethëse”, tha sopranoja Nina Muho.

“Është një nga rolet më sfiduese për nga ana e teknikës vokale. Vepra luan me tensionin e përjetshëm të brendshëm të njeriut nga ajo e të shenjtës me atë të profanes. Mes qëndresave të forta të pyetjeve që shpeshherë nuk marrin përgjigje dhe mes lirisë që kërkon njeriu”, tha baritoni Armando Lika.

Për publikun shqiptar, kjo është një mundësi për të përjetuar nga afër një nga veprat më të rëndësishme të muzikës së shekullit XX, një përzierje mes klasikes dhe modernes, që mbetet po aq aktuale sot sa edhe në kohën kur u krijua.

Shfaqja do të ngjitet në skenë në datat 25 dhe 26 qershor./vizionplus.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu