
Në misionin më të ndjeshëm të ushtrisë amerikane që nga sulmet e viteve 2000, dy bombardues strategjikë B-2 Spirit realizuan një fluturim prej 33 orësh për të goditur objektiva bërthamore iraniane në territorin e mbrojtur të republikës islamike. Lajmi u raportua nga “La Repubblica”, që hedh dritë mbi një aspekt më pak të njohur të ndërhyrjes ushtarake: përgatitjen dhe durimin ekstrem të pilotëve që drejtojnë këto “fantazma” të aviacionit.
Sipas burimeve të Pentagonit, bombarduesit B-2 u ngritën nga baza Whiteman në Missouri dhe, pasi fluturuan drejt Lindjes së Mesme, përdorën bomba të tipit “bunker-buster” për të synuar impiantet e Fordo-s, ku dyshohet se Irani përpunonte material bërthamor.
Piloti i një B-2 nuk është thjesht një ushtar ajror – ai është i trajnuar si astronaut. Në kabinë ndodhet vetëm një cilindër metalik që shërben si tualet, një krevat i fshehur për të bërë gjumë me turne, dhe një frigorifer i vogël për ushqime. Përballë izolimit, mungesës së dritës natyrale dhe presionit ekstrem psikologjik, ata përgatiten për muaj të tërë që të ruajnë fokusin për më shumë se një ditë pa ndërprerje.
Burime të afërta me misionin thonë se fluturimi ishte një operacion i jashtëzakonshëm logjistik, që përfshiu disa etapa furnizimi në ajër dhe koordinim me forca të tjera në rajon. B-2 mbetet një nga avionët më të sofistikuar të prodhuar ndonjëherë: teknologjia stealth e lejon të shmangë radarët më të avancuar, ndërsa sistemi i armëve e bën atë të aftë për të penetruar në thellësi të tokës.
Ky mision, i cili i parapriu sulmeve iraniane me raketa ndaj bazës amerikane Al-Udeid në Katar, vjen në një moment tejet të tensionuar në rajon. Ndërsa Uashingtoni e konsideron operacionin një “sukses monumental”, komuniteti ndërkombëtar po shpreh shqetësime për përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak dhe rrezikun e një konflikti të plotë në Lindjen e Mesme.