
Dy aksidente të ndara janë regjistruar mbrëmjen e sotme në jug të Shqipërisë, në Tepelenë dhe Fier, duke lënë disa persona të plagosur, mes tyre edhe fëmijë.
Tepelenë – Aksident në Mezhgoran, plagoset drejtuesi i mjetit
Në aksin rrugor Ura e Leklit–Këlcyrë, në afërsi të fshatit Mezhgoran, një automjet ka dalë nga rruga. Sipas informacioneve paraprake, në mjet ndodhej vetëm drejtuesi, i cili ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në pritje të ambulancës për të marrë ndihmën mjekësore.
Fier – 15-vjeçari shkakton aksident me të plagosur tre të mitur
Një tjetër aksident ka ndodhur rreth orës 21:00 në aksin Fier–Ballsh, në fshatin Plyg. Sipas Policisë, një 15-vjeçar, banues në Mbyet, ka humbur kontrollin e mjetit duke bërë që automjeti të dalë nga rruga.
Për pasojë, janë plagosur vetë drejtuesi i mjetit si dhe dy pasagjerë të mitur, 13 dhe 14 vjeç, gjithashtu nga Mbyeti të cilët kanë marrë lëndime më të rënda dhe ndodhen në sallën e operacionit.