
Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e tij të 6-të dhe tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë në kulm. Pesidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “rënia e regjimit në Iran mund të ndodhë”, ndërsa në Uashington është mbajtur një tjetër mbledhje emergjente në dhomën e situatave të jashtëzakonshme në Shtëpinë e Bardhë.
Trump bëri të ditur se ende nuk ka marrë një vendim për përfshirjen direkte të SHBA-ve në luftën mes Izraelit dhe Teheranit. Ndërkohë, një sulm kibernetik nga grupe pro-izraelite ka goditur televizionin shtetëror iranian. Për disa minuta janë transmetuar pamje të protestave të grave iraniane, me thirrje që populli të dalë në rrugë kundër regjimit të ajatollahëve.
Udhëheqësi suprem iranian Ali Khamenei reagoi në televizion duke thënë: “Do t’i rezistojmë luftës, nuk do të dorëzohemi kurrë.”
Më herët, Trump pretendoi se Teherani kishte kërkuar një takim zyrtar në Shtëpinë e Bardhë, por Garda Revolucionare iraniane (Pasdaranët) e mohoi menjëherë: “Nuk kemi kërkuar asgjë të tillë. Trump është një nxitës lufte.”
Në një tjetër zhvillim domethënës, SHBA ka dislokuar katër bombardues strategjikë B-2 në një bazë në Oqeanin Indian, avionë që kanë aftësi për të shkatërruar strukturat nëntokësore të armikut, përfshirë bazat bërthamore.
Ndërsa një tjetër zhvillim i orëve të fundit është se Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) ndërkohë ka sqaruar:
“Nuk kemi thënë kurrë se Irani po ndërton një armë bërthamore.”