Policia në Minnesota ka arrestuar një 57-vjeçar të dyshuar për vrasjen e ligjvënësen demokrate Melissa Hortman dhe bashkëshortit të saj, Mark, në një ngjarje që autoritetet e kanë cilësuar si “atentat politik”.

Vance Luther Boelter, i cili dyshohet se është maskuar si oficer policie për të kryer sulmet, u kap të dielën në mbrëmje pranë zonës rurale të Green Isle, pas një ndjekjeje që zgjati mbi 48 orë dhe që u konsiderua si “ndjekja më e madhe në historinë e shtetit”.

Guvernatori i Minnesotës, Tim Walz, e përshkroi vrasjen si një ngjarje që ka “ndryshuar gjendjen shpirtërore të shtetit”. “Kjo nuk mund të jetë norma. Nuk mund të zgjidhim mosmarrëveshjet tona politike me armë,” tha ai në një deklaratë emocionale.

Gjatë atentatit, gjithashtu u plagosën rëndë senatori shtetëror John Hoffman dhe bashkëshortja e tij, Yvette, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë zgjuar pas operacionit.

Polici dhe SWAT në aksion

Drew Evans i Byrosë së Hetimeve Kriminale tha se Boelter u arrestua pa shkëmbim zjarri, ndonëse ishte i armatosur dhe fshihej në një zonë me pyje dhe ara. Në operacion u përfshinë agjenci vendore, shtetërore dhe federale, me mbështetje ajrore dhe ekipe speciale.

Komisioneri i Sigurisë Publike, Bob Jacobson, theksoi se Boelter “keqpërdori besimin që përfaqëson uniforma e policisë”, ndërsa udhëheqësi i Patrullës së Shtetit të Minnesotës, Jeremy Geiger, konfirmoi se askush nga forcat e rendit nuk u lëndua gjatë arrestimit.

Lista me objektiva të mundshëm në shtete të tjera

Autoritetet zbuluan se Boelter mbante një listë me emra politikanësh në makinën e tij, ku përfshiheshin individë nga shtetet fqinje si Wisconsin, Illinois, Michigan, Nebraska dhe Iowa. Hetimet për natyrën e plotë të motiveve të tij vazhdojnë.

Reagime nga autoritetet

Kryetari i Minneapolis, Jacob Frey, vlerësoi “guximin dhe përkushtimin” e forcave të rendit. “Dhuna politike është e neveritshme dhe bie ndesh me vetë themelet e demokracisë sonë. Jam mirënjohës që autori do të përballet me drejtësinë,” u shpreh ai.

Në rrjetet sociale, zyra e sherifit të qarkut Ramsey publikoi foton e arrestimit të Boelter-it, duke e cilësuar atë si “fytyra e së keqes” dhe duke falënderuar komunitetin për bashkëpunimin.

Minnesota përballë dhunës politike

Gazetari Mike Wendling nga BBC raportoi se ky akt ka tronditur thellësisht banorët e Minnesotës, të njohur për kulturën e tyre tolerante dhe bashkëpunuese, të njohur shpesh me frazën “Minnesota nice”. “Kjo është diçka që nuk ndodh këtu. Jemi të shokuar,” tha një qytetar për BBC.

Autoritetet deklaruan se Boelter kishte vepruar i vetëm dhe nuk paraqet më rrezik për ligjvënësit e tjerë. Megjithatë, në një klimë të rritur tensioni politik në SHBA, kjo ngjarje konsiderohet si një paralajmërim i zymtë për sigurinë e përfaqësuesve publikë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu