Një qytetar amerikan 46-vjeçar, i identifikuar si Rexal Ford, është arrestuar në Skiathos të Greqisë, pasi dyshohet se është autori i vrasjes së një gruaje dhe një foshnje, trupat e të cilave u gjetën disa ditë më parë në parkun Villa Pamphili, në Romë. Lajmin e konfirmoi prokurori i Romës, Francesco Lo Voi, në një konferencë për shtyp, ku u bë e ditur gjithashtu se i dyshuari ka precedentë penalë në SHBA.

Ford ka deklaruar para hetuesve se është babai i foshnjës, e cila sipas vlerësimeve mjeko-ligjore është mes 6 dhe 12 muajshe, por autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka ende prova shkencore që vërtetojnë lidhjen e tij me vajzën. Identiteti i gruas së vrarë nuk është ende i konfirmuar.

Arrestimi i Ford u bë pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve italiane, greke dhe amerikane, me ndihmën vendimtare të programit televiziv “Chi l’ha visto?”, ku një dëshmitar njoftoi se kishte parë një grindje të dhunshme mes një burri dhe një gruaje pranë parkut Villa Pamphili, ditë para se trupat të zbuloheshin.

Burri është larguar nga Italia më 11 qershor me një fluturim nga Fiumicino, pa njoftuar autoritetet. Sipas prokurorit Lo Voi, ky veprim “ngre dyshime serioze” dhe është “i pakuptueshëm për dikë që nuk ka asgjë për të fshehur”. Ndaj tij është lëshuar një mandat arresti evropian dhe pritet ekstradimi i tij në Itali.

Sipas prokurorit të çështjes Giuseppe Cascini, ekziston dyshimi i arsyeshëm se bëhet fjalë për një vrasje të dyfishtë. Autopsia mbi gruan nuk ka dhënë ende rezultate të qarta për shkakun e vdekjes, ndërsa foshnja ka shenja dhune dhe mbytjeje, çka sugjeron se mund të jetë vrarë disa ditë pas vdekjes së nënës së saj.

Gruaja dhe foshnja u gjetën të zhveshura, pranë njëritjetrit, dhe fillimisht hetimet nisën pa asnjë të dhënë mbi identitetin e tyre. Në vendin e ngjarjes u gjetën një tendë e thjeshtë, një thes gjumi dhe disa rroba të shpërndara – dëshmi që sugjerojnë një jetë në rrugë.

Sipas dëshmitarëve, në ditët e fundit para vdekjes, gruaja dhe foshnja frekuentonin tregun e San Silverio-s për të ngrënë dhe për t’u larë në banjot publike. Ata flisnin vetëm anglisht, ndërsa burri – sipas përshkrimeve – ishte i gjatë, i fuqishëm dhe me sjellje kërcënuese. Një tregtar tha se “fytyra i fshihej gjithnjë nga një kapele, syze dielli dhe mjekra”.

Një i pastrehë ka dëshmuar gjithashtu: “Ishte agresiv. Para një muaji goditi një fëmijë që po luante dhe e shqetësoi”.

Autoritetet janë ende në përpjekje për të identifikuar gruan dhe për të konfirmuar nëse ekziston lidhje familjare mes saj dhe burrit të ndaluar. Janë marrë në analizë prova ADN-je dhe tatuazhe në trupin e saj, në përpjekje për të zbuluar origjinën apo identitetin.

Prokuroria italiane nuk përjashton mundësinë që viktimat dhe i dyshuari të jenë pjesë e një komuniteti nomadësh ndërkombëtarë, që jetonin në margjinat e shoqërisë jo për shkak të varfërisë, por nga zgjedhje personale.

Hetimi vazhdon për të hedhur dritë mbi një ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe ka lënë shumë pyetje pa përgjigje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu