Kryeministri Edi Rama bën sërish kritika të forta ndaj sistemit gjyqësor në vend. Në një koment për një vendim të Gjykatës së Tiranës, që i ka rrëzuar tani një padi për shpifje të bërë në 2018-ën ndaj Lulzim Bashës, Rama shprehet se argumentet që ka dhënë gjykatësja janë komike, por edhe tragjike.

“Sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra! Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i ‘Ushtari i mirë Shvejk,’ po një gjykatëse që paguhet më shumë sesa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur – kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim!”

Rama kërkon reagim edhe nga organet që qeverisin sistemin gjyqësor.

“A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!”

Por për kryeministrin Rama, problemi është më i thellë në sistemin gjyqësor sesa thjesht rrëzimi i padisë së tij.

“Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është fare çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë s’e marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh. Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12-vjeçari!”

Më herët, kreu i qeverisë e ka konsideruar skandaloze kërkesën për rritjen e pagës së gjyqtarëve me 700 euro, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të mos lajthisë duke mbështetur këtë vendim, siç bëri në vitin 2023. Kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve ka kaluar prej datës 3 mars në seancë paraprake në Gjykatën Kushtetuese.

Tv Klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu