
I dënuar me 15 vite burg për trafik ndërkombëtar droge, reduktuar në 10 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, Klement Balili, i cilësuar nga mediat greke si ‘Eskobari i Ballkanit’, është liruar nga burgu me shërbim prove. Nga 10 vite burg, Balili ka bërë 5 vite. Ka dyshime të forta se për kopsiten e dosjes së lirimit janë hedhur 500 mijë euro, ku kanë marrë pjesë një gjyqtar, prokurorë, avokatë dhe zyrtarë burgjesh.
Goditja e Balilit erdhi nga DEA amerikane, pasi për autoritetet shqiptare, sot mund t’a kishim kryetar të Bashkisë Sarandë. Të paktën 15 operacione policore dështuan për t’a arrestuar.
Balili u dorëzua në vitin 2019 pas pasi Ambasada Amerikane në Tiranë ushtroi presion ndaj qeverisë nisur edhe nga të dhënat se i ashtuquajturi ‘Eskobari i Ballkanit’ kishte lidhje të forta me ministra, ish ministra, deputetë, kryetarë partish. Ai u shoqërua me eskortë policore si të ishte një udhëheqës shteti.
Disa ditë më parë, Klement Balili u shfaq në festën e Fitores së Partisë Socialiste në Sarandë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ai ishte protagonist i festës socialiste.
Ai ishte për të inaguruar resortin “Santa Quaranta” të Balilit buzë detit të Sarandës në maj të 2016, bashkë me Koço Kokëdhimin, Arben Ahmetajn, Panaritin, Vasilin etj., resort që u rrethua dhe u sekustrua një vit më vonë, por që Balili arriti t’a mbante dhe t’a rikthente hotelin dhe apartamentet e sekustruara, një histori kjo korrupsioni më vete.
Të gjithë zyrtarët pjesëmarrës në festë, madje edhe përfaqësues të lartë të PS-së, afroheshin duke bërë foto me Balilin, tregues ky i autoritetit të ‘Ekobarit’ në Sarandë dhe respektit që gëzon në zonë. Nuk dihet nëse Balili është agazhuar në fushatë për zgjedhjet e 11 majit, por menjëherë pas daljes nga burgu me kusht, ai është shfaqur si më parë pronar i resortit “Santa Quaranta”, gjoja i sekustruar nga drejtësia si produk i parave të trafikut të kokainës, por që Balili arriti t’a mbante falë disa vendimeve të dyshimta të gjytarëve dhe korruptimit të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
I dënuari me 15 vite burg sot gëzon lirinë pas 5 vitesh burg, ndërsa burgjet janë mbushur plot me zyrtarë, ish zyrtarë dhe qytetarë të thjeshtë për shpërdorim detyre, për një kanal, një kec apo vetëm si të dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.
Si e rimori Balili resortin
Në nëntor të vitit 2017, dhjetra forca policore rrethuan me bujë resortin Santa Quaranta buzë detit të Sarandës në zbatim të një vendimi sekuestrimi të bazuar në ligjin “Antimafia”. I shtrirë në rreth 30 mijë metra katrorë, resorti që kishte shërbyer si kamp i Pushimit të Punëtorëve gjatë regjimit komunist, administrohej nga Bashkim Balili, vëllai i madh i Kelmend Balilit – i njohur si “Eskobari i Ballkanit” dhe i dënuar me 10 vjet burg në vitin 2019 për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Pas sekuestrimit, resorti “Santa Quaranta” shërbeu si aset i çmuar për Agjencinë e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK në gjenerimin e të ardhurave. Por 8 vjet më pas, resorti i është rikthyer pronarit të mëparshëm, Bashkim Balili, ndërsa AAPSK ndodhet në një proces gjyqësor për të përcaktuar se cila do të jetë pjesa e vet takuese prej 40% e godinës.
Rikthimi i resortit në duart e familjes Balili u mundësua nga një vendim i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i shtatorit 2020, konkretisht nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi. Vendimi çliroi nga masa e sekuestros kompaninë që administronte resortin dhe konfiskoi në favor të shtetit vetëm 40% të objektit.
Më pas Balilët arritën të kapin Agjencinë e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, duke hyrë në pazar për dhënien e ambienteve me qira për 5 muaj gjatë sezonit veror, duke i marrë po vetë.
Vendimi Iliriana Olldashit: Hoteli 60% i ligjshëm
Procesi kundër pasurisë së Klement Balilit nisi në nëntor 2017 nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila identifikoi dhe sekuestroi një truall me sipërfaqe 11.994 m2 në qytetin e Sarandës, resortin Santa Quaranta me sipërfaqe ndërtimi 1923 m2 dhe sipërfaqe trualli 13.000 m2, një truall 1716.91 m2 po në Sarandë si dhe dhjetra apartamente dhe një njësi tregtare.
Nën sekuestro u vendos edhe kompania Santa Quaranta Premium Resort që administronte hotelin, e cila kaloi nga Bashkim Balili tek Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Por gjatë gjyqit për konfiskimin, Gjykata e Posaçme vendosi më 21 shtator 2020 që të konfiskonte vetëm 40% të pronave të sekuestruara nga Balili, duke i njohur si burime të ligjshme pjesën tjetër prej 60% të këtyre pronave.
Prokurori i çështjes, Ened Nakuçi kërkoi konfiskimin e plotë të resortit “Santa Quaranta” dhe trojeve që ai disponon, ndërsa për apartamentet kërkoi revokimin e masës së sekuestros. Ndërsa avokati i vëllezërve Balili, Sokol Hazizaj kërkoi rrëzimin e kërkesës së prokurorit për konfiskimin e “Santa Quaranta”, ndërsa shprehu dakordësi për revokimin e masës nga apartamentet.
Gjyqtarja Iliriama Olldashi e Gjykatës së Posaçme nuk i dha të drejtë asnjërës prej palëve dhe bëri një vlerësim të ndryshëm prej tyre. Kelmend Balili rezultonte si person i hetuar në vitin 2005 nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, por procedimi është pushuar në janar të vitit 2007 për pamjaftueshmërinë e provave.
Sipas vendimit të gjyqtares Olldashi, data e ndalimit të parë të Balilit më 16 korrik 2006 është marrë si indicie e përfshirjen e tij në veprimtari kriminale të krimit të organizuar. Për këtë arsye, gjykata i ngarkoi vëllezërve Balili barrë prove për të vërtetuar ligjshmërinë e burimeve të pasurisë pas datës 16 korrik 2006.
Bazuar në këtë arsyetim, Olldashi ka çmuar se prej vitit 2006, resortit “Santa Quaranta” dhe pasurive të tjera u janë bashkëngjitur pasuri të paligjshme që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal, në masën 40% të vlerës totale të tyre.
“Nga momenti i krijimit të kësaj pasurie me periudhën e zbatimit të masave parandaluese kundër kësaj pasurie duke përfshirë sekuestrimin dhe më pas me këtë gjykim konfiskimin, pasuria ka pësuar ndryshime nga gjendja fillestare duke rritur vlerën e saj të ndërtimit, ashtu edhe në treg, duke u bashkuar origjina e paligjshme e 40% të saj me pasuri të ligjshme, siç është rikonstruksioni i ish-Kampit të Punëtorëve dhe ndërtimi i apartamenteve,” citohet në vendim.
Gjykata vlerëson se në këtë rast zbatohet konfiskimi i pasurisë së barazvlefshme sipas nenit 12/a të ligjit të quajtur dhe ‘Antimafia’, ku përcaktohet se sekuestrimi dhe konfiksimi zbatohet dhe “kur pasuria e paligjshme është trupëzuar me pasuri të ligjshme dhe nuk mund të ndahet prej saj pa i shkaktuar një dëm thelbësor”.
Gjykata e gjeti të pabazuar kërkimin e prokurorit Nakuçi për revokimin e sekuestros për apartamentet në emër të Bashkim Balilit dhe vendosi të konfiskojë 16 apartamente në masën 40%. Për 18 apartamente të tjera të listuara në vendim u revokua masa e sekuestros, pasi ato ishin blerë nga persona të tretë që u vlerësuan si pronarë të ligjshëm.
Prokurori Ened Nakuçi nuk ushtroi ankim ndaj vendimit të gjykatës, ndërsa një ankim i bërë nga vëllezërit Balili u tërhoq më vonë në Gjykatën e Apelit, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë që njohu si të ligjshme 60% të resortit dhe truallit të tij.
Raporti i KLSH: Ardian Koni i riktheu pasuritë Klement Balilit, hotelin në Sarandë administratori ia dha vetes me qira
Në tetor 2023, pas një auditimi të thelluar, Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkoi shkarkimin nga detyra të drejtorit të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Ardian Koni, për afera dhe shkelje të rënda me administrimin e pasurive me vlerë 140 milionë euro, që i janë sekustruar dhe konfiskuar krimit. Koni, i shkarkuar më pas, ngarkohej me përgjegjësi për rikthimim në duart e bosëve të drogës të pasurive që u ka konfiskuar drejtësia.
Krahas zhdukjes së 20 makinave luksoze të konfiskuara, Koni me grupin e tij kanë tjetërsuar dhe rikthyer në duart e subjketeve të ligiit anti-mafia si hotele, pallate, apartamente, makina, troje etj., duke ia dhënë me qira vetes së tyre, të besuarve të figurave të krimit të organizuar dhe në disa rastei kanë kaluar në duart vetë figurave të krimit me kontrata qiraje, në kundërshtim flagrant me ligjin.
Në konflikt flagrant interesi, hotelin e Klement Balilit e kishin marrë me qira Erion Ricku dhe Arjan Baçi, të cilët kanë qenë pjesë e konisionit për vlerësimin e çmimit të tregut të këtyre pasurive, komision i ngritur pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
Ricku dhe Baçi janë pjesë e AAPSK, të besuar të Ardian Konit dhe të Klement Balilit. Erion Ricku dhe Arjan Baçi me miratimin dhe në koordinim me Balilin dhe Konin menaxhuan pasuritë e konfiskuara pjesërisht nga drejtësia.
Jo vetëm kaq. 12 apartamente, gjoja të konsiskuara, kontrollohen nga Balaili përmes njerëzve të tij të besuar, ku në këmbim si ryshfet ka dhënë disa apartamente. Një gjyqtar i korruptuar, i implikuar në këtë mega skandal ka marrë disa aparatamente të Balilit./ Marrë me shkurtime nga Prapaskena