Tre pelegrinë myslimanë nga Spanja kanë përfunduar udhëtimin e jashtëzakonshëm me kalë drejt Mekës, duke përshkuar mijëra kilometra në borë e shi dhe në një rrugë që ata thonë se nuk është ndjekur nga askush për më shumë se 500 vjet.

Abdelkader Harkassi Aidi, Tarek Rodriguez dhe Abdallah Rafael Hernandez Mancha u nisën nga jugu i Spanjës në tetor dhe përmes Francës, Italisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës, Serbisë, Bullgarisë, Turqisë, Sirisë dhe Jordanisë, arritën në Arabinë Saudite në maj.

Ishte moment emocional për treshen kur arriti në Mekë. Asnjë pelegrin nuk e ka bërë këtë rrugë në këtë mënyrë që nga viti 1491, kanë thënë ata.

Harkassi ka thënë se kanë kaluar rreth 8,000 kilometra para se të arrinin në Qabe.

“Kemi kaluar shumë kilometra për të qenë këtu dhe Zoti iu përgjigj lutjes sonë”, i ka thënë ai Associated Press. “Ishim përballë Qabesë dhe patëm mundësinë ta preknim. Kështu që ato 8,000 kilometra nuk ishin asgjë”.

Gjatë udhëtimit që zgjati disa muaj, pelegrinët panë pamje mahnitëse të natyrës dhe monumente historike.

Por sfidat nuk munguan. Në Bosnje, ata humbën kuajt, të cilët më vonë u gjetën në një zonë me mina.

Askush nuk mund t’i tërhiqte për shkak të rrezikut, por për fat të mirë kuajt dolën të padëmtuar.

Por, të tre vlerësojnë se humanizmi ishte gjëja më e vlefshme për ta.

“Kur nuk kishim asgjë, njerëzit na ndihmuan me kuajt, me ushqim, na dhanë para. Njerëzit kanë qenë të mrekullueshëm. Mendoj se është provë që myslimanët janë të bashkuar”, ka thënë Harkassi. /koha.net

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu