Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e hapjes së festivalit europian “Bread & Heart” (Bukë e Zemër), një ngjarje e re që bashkon në Tiranë mbi 150 arkitektë të njohur ndërkombëtarë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore, të cilët punojnë në Shqipëri, së bashku me partnerët e tyre lokalë dhe të ftuar nga fusha të ndryshme të jetës.

Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi nisjen e festivalit “Bukë e Zemër”, një hapësirë e re shpirtërore dhe kulturore që synon të fuqizojë dialogun dhe bashkëpunimin mes arkitektëve dhe politikëbërësve.

“Ju uroj mirëseardhjen këtu në Tiranë, në një Shqipëri që sot prodhon arkitekturë më shumë sesa Evropa bashkë.

Sot këtu nisim një aventurë të re për të krijuar një hapësirë në formë shpirtërore. Duhen dëgjuar arkitektët.

Të dëgjosh arkitektët e vërtetë është një formë e jashtëzakonshme edukimi në politik bërje. Është tu hedhësh një sy atyre mënyrave për të marrë vendime.

Kemi gjetur një emër për hapësirën që kemi nisur të krijojmë, festivali “bukë e zemër”, gjetëm edhe një moto, sillni edhe pak kripë ju lutem”, tha Rama.

Festivali është një platformë për ndarjen e eksperiencave, diskutimin e sfidave të zhvillimit urban dhe social, si dhe për të kontribuar në formulimin e politikave dhe masave që shërbejnë për transformimin e madh që po kalon Shqipëria si pjesë e Evropës së Ballkanit.

Festivali “Bread & Heart” premton të sjellë ide dhe vizione të reja arkitekturore që do të ndikojnë në zhvillimin urban dhe kulturor të Shqipërisë, duke krijuar një hapësirë shpirtërore dhe praktike për të ardhmen e vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu