Bruksel, 4 qershor 2025 – Në një deklaratë të mbajtur sot në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder vuri në dukje përparimin e vendit, por theksoi edhe sfidat serioze që e shoqërojnë procesin zgjedhor dhe funksionimin demokratik.

Sipas tij, “sot është një ditë shqiptare”, duke iu referuar diskutimeve të gjera mbi situatën politike në vend. Ai vlerësoi faktin se të dy kampet politike në Shqipëri mbështesin integrimin europian, duke e cilësuar këtë si “shumë të rëndësishme” për të ardhmen e vendit.

Duke folur për zgjedhjet e fundit, eurodeputeti theksoi tensionet e vazhdueshme mes dy partive kryesore dhe ndikimin e kufizuar të partive të vogla në skenën politike. Ai kritikoi gjithashtu sistemin aktual zgjedhor, të cilin e konsideroi të lidhur ngushtë me strukturat sociale dhe që sipas tij “duhet kapërcyer”.

Në anën pozitive, ai përmendi përdorimin e teknologjive moderne gjatë procesit zgjedhor, përfshirë kartat elektronike të identitetit, identifikimin me gjurmë gishti dhe kamerat në qendrat e votimit, si dhe entuziazmin e qytetarëve në pjesëmarrje.

Raportuesi veçoi si arritje votimin e diasporës, i cili, sipas tij, rezultoi më i suksesshëm se sa pritej, me një pjesëmarrje më të lartë se parashikimet.

Megjithatë, ai shprehu keqardhjen që nuk u arrit dakordësi për zbatimin e reformave të tjera të rekomanduara nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias përpara zgjedhjeve. Ai bëri thirrje për konsensus të gjerë politik për reformimin e mëtejshëm të sistemit, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së opozitës dhe një shumice më të gjerë parlamentare në këtë proces.

“Pas inaugurimit të parlamentit të ri në shtator, duhet të fillojë menjëherë puna për krijimin e një komisioni që do të çojë përpara negociatat për zbatimin e këtyre reformave,” theksoi ai.

Në fund, raportuesi theksoi se procesi i zgjerimit të BE-së dhe hapja e kapitullit të parë – grupkapitulli për sundimin e ligjit – mbetet një çështje kyçe për Shqipërinë dhe duhet të jetë prioritet në rrugën drejt integrimit europian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu