
Është zgjuar sërish Etna, vullkani më aktiv në Evropë, duke shkaktuar alarm në Siçili. Gjatë orëve të fundit, janë regjistruar shpërthime të fuqishme dhe aktivitet i shtuar vullkanik, duke detyruar autoritetet të marrin masa emergjente.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë turistë që largohen me shpejtësi, të frikësuar nga një re e dendur hiri dhe gazrash që është përhapur në një distancë prej disa kilometrash.
Sipas ekspertëve, shpërthimi i sotëm është i tipit “Strombolian”, që karakterizohet nga shpërthime të shpeshta me dalje të llavës dhe gazrave, por pa pasoja shkatërruese në shkallë të gjerë. Instituti i Gjeofizikës në Katania sqaron se aktiviteti i fundit ka ardhur si pasojë e një shembjeje të pjesshme të brendshme të kraterit juglindor të vullkanit.
Deri tani, llavat dhe materialet vullkanike nuk përbëjnë kërcënim për zonat e banuara. Megjithatë, që në orët e para të mëngjesit, janë evakuuar të gjithë turistët dhe alpinistët që ndodheshin në afërsi të zonës aktive.
Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e pezullimit të përkohshëm të fluturimeve në Aeroportin e Katanias, në varësi të zhvillimeve në orët në vijim. Etna, e vendosur në bregun lindor të Siçilisë, është një ndër vullkanet më aktive në botë dhe në pesë vitet e fundit ka shfaqur aktivitet të shtuar të vazhdueshëm./(BalkanWeb)