
Rusia dhe Ukraina kanë përfunduar pasditen e sotme (2 qershor), raundin e dytë të negociatave në Stamboll, që ka zgjatur mbi një orë.
Në përfundim të këtij takimi, mediat e huaja bëjnë të ditur se delegacionet ukrainase dhe ruse kanë rënë dakord për një shkëmbim të të burgosurve dhe kthimin e trupave të gjashtë mijë ushtarëve të rënë në luftë.
Kjo u deklarua nga Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, i cili kryesoi delegacionin e Kievit në fund të bisedimeve që zgjatën rreth një orë.
“Të gjithë ushtarakët e sëmurë rëndë dhe ata nën moshën 25 vjeç do të lirohen”, tha Umerov.
Ndërkohë edhe gjatë raundit të parë të bisedimeve, më 18 maj të vitit të kaluar, të dy delegacionet kishin rënë dakord për një shkëmbim të të burgosurve, 1 mijë rusë për 1 mijë ukrainas.
Zëvendësministri i Jashtëm ukrainas, Sergei Kyslytsia, tha se Rusia kishte hedhur poshtë ofertën e Kievit për një “armëpushim të pakushtëzuar” gjatë raundit të ri të bisedimeve të drejtpërdrejta në Stamboll.
“Pala ruse vazhdoi të refuzojë propozimin për një armëpushim pa kushte”, tha Kyslytsia në një konferencë për shtyp pas takimit me rusët.
Po ashtu bëhet e ditur se Ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, nga delegacioni ukrainas në Stamboll ka kërkuar një takim të ri me të dërguarit rusë në fund të muajit, midis 29 dhe 30 qershorit, për të diskutuar prioritetin e armëpushimit.
“Një takim i ri është thelbësor për të çuar përpara procesin e negociatave”, tha Umerov në një konferencë për shtyp.
Kujtojmë se Ukraina ka rënë dakord në prill për një armëpushim 30-ditor, sipas në propozimi nga SHBA-të, por Rusia nuk ka shfaqur gatishmërinë për ta nënshkruar, dhe shumë prej aleatëve të Ukrainës e kanë akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, se po përpiqet ta zvarrisë procesin, në mënyrë që të shfrytëzojë situatën aktuale në fushëbetejë, ku Rusia ka përparuar në territoret që synon t’i mbajë të pushtuara./tvklan