Dy javë pas fitores së thellë të 11 majit, Kryeministri Edi Rama ka mbledhur kandidatët dhe deputetët e ardhshëm të Partisë Socialiste në një takim të brendshëm.

Në një fjalim që zgjati mbi 45 minuta, lideri i socialistëve paralajmëroi ndryshime të rëndësishme si në strukturën e partisë, ashtu edhe në qeveri, duke theksuar se “duhen bërë disa gjëra ndryshe”.

“Duhet të fillojmë nga vetja, të reflektojmë me kujdes për disa gjëra që kërkojnë një qasje tjetër. Nevojiten lëvizje në drejtimin e partisë dhe në qeveri. Kemi nevojë për mirëkuptim të plotë mes nesh dhe me familjen tonë europiane, sepse fuqia e mandatit të katërt duhet përdorur me përgjegjësi,” tha Rama para grupit parlamentar të PS-së.

Kryeministri vlerësoi fitoren historike me 83 mandate dhe rikujtoi arritjet në tre mandatet e mëparshme të qeverisjes socialiste. Ai veçoi si një nga sukseset kryesore reformën në drejtësi, për të cilën tha se u ndërmor me guxim, pavarësisht kostove politike.

“Ne i hymë detit në këmbë. Reforma në drejtësi ishte një ndërmarrje e vështirë, sidomos në mandatin e parë, por ia dolëm ta pavarësojmë sistemin dhe t’i hapim rrugë një pastrimi historik të institucioneve të drejtësisë. Shqipëria filloi të marrë frymë sërish,” deklaroi ai.

Mandatin e dytë, Rama e përshkroi si një periudhë sfidash të mëdha, për shkak të tërmetit dhe pandemisë, por që sipas tij shërbeu për të forcuar karakterin e Partisë Socialiste.

“Populli na dha besimin për të vijuar qeverisjen, këtë herë pa aleatë. Përballuam një tërmet shkatërrues dhe pandeminë globale. Ishte një mandat i vështirë, por që na kaliti dhe na forcoi,” shtoi kryeministri.

Sa i takon mandatit të tretë, ai e konsideroi një kthesë historike për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Në sytë e të tjerëve, Shqipëria ishte kthyer në një pikë të zezë, por sot është një destinacion i ri europian. Hapëm negociatat për anëtarësim në BE dhe organizuam Samitin e Komunitetit Politik Europian në Tiranë – një certifikim i qartë i rilindjes sonë kombëtare.”

Në fund të fjalës së tij, Rama nënvizoi se mandati i katërt duhet të trajtohet si një përgjegjësi e madhe historike.

“Kjo fitore nuk është vetëm një sukses numerik. 83 mandatet janë 83 gurë në kurriz – një barrë e rëndë dhe e shenjtë që populli na ka ngarkuar për ta çuar Shqipërinë më përpara,” përfundoi ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu