Aktori Pupa duke punuar ne kopshtin e viles australiane

Aktori i njohur shqiptar, Elvis (Vis) Pupa, ka reaguar për herë të parë pas raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe shqiptare që e lidhin emrin e tij me një shtëpi ku dyshohet se kultivohej kanabis në Australi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pupa ka mohuar kategorikisht se është në kërkim apo i arratisur, duke e cilësuar gjithë situatën si një keqinterpretim dhe manipulim të qëllimshëm nga ana e mediave. Ai nuk e mohon ekzistencën e një procesi në Australi, por thekson se “nuk ka asgjë të jashtëzakonshme” dhe se po punohet për ta sqaruar gjithçka në mënyrë ligjore.

“Jam prej më shumë se një muaji në Tiranë, ku po zhvilloj angazhimet e mia profesionale të planifikuara në Shqipëri dhe në Europë,” – shkruan ai, duke shtuar se po përballet me një fushatë dezinformimi.

Në reagimin e tij, Pupa përmend edhe bashkëshorten, Belina Pupa, terapiste dhe influencuese me mbi 80 mijë ndjekës në rrjetet sociale, e cila është një nga të akuzuarat në këtë çështje. Sipas tij, ajo është e lirë dhe po vazhdon aktivitetin e saj profesional, ndërkohë që procesi gjyqësor në Australi është ende në zhvillim.

Belina Pupa është vënë nën akuzë për kultivim të paligjshëm të 43 bimëve kanabisi dhe ndërhyrje të jashtëligjshme në rrjetin elektrik, në një pronë në Ascot Park, gjatë periudhës janar–prill 2025. Të martën ajo u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës në Adelaide, ku ende nuk ka deklaruar fajësinë.

Avokati i saj kërkoi lirim me kusht duke argumentuar se Belina Pupa duhet të udhëtojë drejt Shqipërisë për angazhime ndërkombëtare në fushën e shëndetit mendor. Kërkesa u kundërshtua nga prokuroria, e cila e konsideron çështjen serioze dhe përmendi se bashkëshorti i saj, Vis Pupa, është bashkë-akuzuar dhe aktualisht ndodhet jashtë territorit australian.

Gjykata vendosi ta lirojë me kusht Belina Pupën deri në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme.

Ndërkohë, ky rast ka nxitur edhe më tej diskutimet për një dukuri që, sipas vetë shqiptarëve që jetojnë në Adelaide, është bërë e zakonshme: dhënia e pronave me qira për kultivimin e kanabisit, shpesh përmes kontratave të dyshimta.

“Po kështu e bëjnë, bëjnë kontrata false që kur t’i kapin, thonë ‘e kisha dhënë me qira’”, shkruan një qytetar shqiptar që jeton në këtë zonë. Ai shton se shumë shqiptarë janë përfshirë në këtë lloj aktiviteti, që ndonëse në disa raste tolerohet në kuadër të legjislacionit për përdorim personal, shpesh kalon në shifra të mëdha.

Sipas të njëjtit burim, një shtëpi me 43 bimë mund të sjellë deri në 80 mijë dollarë fitim për vetëm tre muaj – një shifër që e shpjegon jetesën luksoze të disave prej të përfshirëve.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu