Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në qytetin Halle (Saale) të Gjermanisë, ku tre persona, përfshirë një vajzë të mitur, mbetën të plagosur pas një sulmi me thikë. Ngjarja ndodhi në një zonë të banuar, përpara një ndërtese banimi.

Sipas policisë gjermane, sulmit i ka paraprirë një debat verbal, i cili kishte të bënte me zhurmën e fëmijëve, përpara se situata të përshkallëzohej në dhunë fizike. I dyshuari, një burrë 46-vjeçar me origjinë nga Kosova, është arrestuar menjëherë pas incidentit.

Në këtë sulm u plagosën një vajzë 11-vjeçare, e cila ka marrë lëndime të lehta, si dhe dy burra të moshës 29 dhe 47 vjeç. Njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. Të tre të lënduarit janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, shkruajnë mediat gjermane.

Një dëshmitar okular tha për mediat se agresori kishte përdorur një thikë të gjatë dhe se fëmijët ndodheshin ulur pranë hyrjes së një ndërtese në momentin kur ndodhi sulmi.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë ende në vijim, ndërkohë që autoritetet nuk kanë dhënë ende informacione të detajuara mbi motivet dhe rrethanat e sakta të sulmit./panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu