
Tiranë, 19 maj 2025 – Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një prononcim për mediat ka sqaruar disa të dhëna që lidhen me votimin nga jashtë vendit, pas raportimeve për kontradikta në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas Celibashit, 201.956 dërgesa postare unike janë dorëzuar në KQZ nga shërbimi ndërkombëtar DHL, që përfaqësojnë po aq zgjedhës që kanë kthyer fletët e votimit përmes këtij shërbimi.
Përveç këtyre, janë regjistruar edhe 353 dërgesa të tjera postare unike, të cilat kanë mbërritur në KQZ përmes shërbimesh të tjera, përfshirë edhe Postën Shqiptare. Gjithsej 6 zgjedhës kanë dorëzuar personalisht zarfet pranë institucionit. Nga këto 353 dërgesa, 107 janë shqyrtuar dhe vlerësuar nga KQZ.
Në total, 202.063 zarfe janë marrë në shqyrtim nga KQZ. Megjithatë, Celibashi theksoi se numri më domethënës është ai i fletëve të votimit të vlerësuara, pasi jo çdo zarf i mbërritur ka përmbajtur të dy zarfet përkatës (A dhe B).
Sipas të dhënave zyrtare:
- 201.795 është numri total i fletëve të votimit të vlerësuara.
- Prej tyre, 199.824 janë shpallur të vlefshme, ndërsa
- 1971 fletë votimi janë shpallur të pavlefshme.
“Gazetari:Akuzat në lidhje me votën e diasporës vijojnë të intensifikohen. A ka bazë ligjore që procesi i votimit të shpallet i pavlefshëm, veçanërisht procesi i votimit për Greqinë?
Celibashi: Nëse verifikohen shkelje të ligjit dhe nëse ato ndikojnë në rezultat, çdo lloj votimi mund të shpallet i pavlefshëm. Këtë nuk e them dot dhe nuk më takon ta përcaktoj. Nuk jap gjykim nëse ka vlefshmëri apo jo, nëse ka ligjshmëri apo jo; ka instanca të tjera për këtë. Por, me siguri të plotë mund të them se gjithçka që është administruar nga KQZ lidhur me këtë proces ka prodhuar integritet të plotë. Ndërkohë, mbetet për t’u diskutuar se si votuesit nga jashtë kanë votuar.”