
Tiranë, 17 maj 2025 – Në një deklaratë të fortë për median, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur akuzat për manipulim masiv të zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar procesin si “farsën më të shëmtuar elektorale të 34 viteve të fundit”.
Berisha theksoi se kishte qenë në Bruksel, ku në datat 15 dhe 16 maj mori pjesë në Forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar dhe zhvilloi takime me drejtues të lartë të partive të qendrës së djathtë nga Europa dhe bota, përfshirë presidentin e organizatës, Stefan Harper, dhe sekretaren e përgjithshme, Tina Mercep.
“Qëllimi i këtij udhëtimi ishte mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë dhe denoncimi i masakrës zgjedhore të kryer nga Edi Rama. Prezantova para partnerëve tanë ndërkombëtarë skemën e blerjes masive të votës: bonusi prej 100 euro për çdo pensionist, falja e gjobave në vlerën 200 milionë euro, mijëra punësime për votë dhe kultivimi masiv i kanabisit në dhjetëra mijëra hektarë”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, përfshirja e krimit të organizuar ka qenë masive në të paktën 20 bashki dhe 10 qarqe, dhe kjo, sipas tij, solli kandidatë të panjohur si më të votuarit në vend, si Sara Mila dhe Arkend Balla.
Duke e krahasuar situatën me diktaturat afrikane, Berisha u shpreh: “Zgjedhjet në Shqipëri ishin të njëjta me ato dekada më parë në Zimbabve, nën diktatorin Mugabe.”
Ai theksoi se nuk e njeh rezultatin dhe deklaroi se “shpejt do të vijë dita kur ambasadat e narkodiktatorit do të rrethohen nga populli, në të gjitha kryeqytetet, për t’u kërkuar llogari për votën e shkelmuar”.
“Unë kam bindjen më të thellë se Edi Rama nuk do ta gëzojë këtë mandat dhe do të përgjigjet për këtë batërdi elektorale”, përfundoi ai.
View this post on Instagram