
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla tha se pret që nesër në mëngjes, me ezaurimin e aspekteve procedurale, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi të autorizojë KZAZ-në për të vijuar procesin e numërimit në secilën prej 37 tavolinave, të cilat përfaqësojnë qarqet.
““Nuk ka asnjë argument juridik për këtë bllokim. Sigurisht do ketë kontestime, por numëruesit janë të detyruar me ligj t’i numërojnë. Nesër në mëngjes, në kushtet e ezaurimit të aspekteve proceduriale zoti Celibashi duhet të autorizojë KZAZ-të për të vijuar procesin e numërimit”, u shpreh ai.
Balla theksoi se siç duket deri tani trendi është që Partia Socialiste ka dyfishin e votave të Partisë Demokratike në diasporë. Sa i takon ndikimit të votave ende të panumëruara në ndarjen e mandateve ai tha se nuk pret ndonjë ndryshim të madh.
“54,000 vota janë ndarë sipas qarqeve, për shembull. Tani që numërimi është mbyllur, kuptohet se, për shembull, në Tiranë janë 4,005 vota për t’u numëruar. Nuk mendoj se ato mund të sjellin ndryshim në mandate, as në debatin mes Partisë Demokratike dhe mundësisë për ndonjë ndryshim.Nuk ndikon në Shkodër, nuk ndikon në Kukës, nuk ndikon në Lezhë. T’ju them të drejtën, nuk jam dakord me konstatimin tuaj.”
Në fund, Balla falënderoi diasporën që u regjistrua dhe votoi, duke vlerësuar suksesin e procesit. Sipas tij, koeficienti i kthimit të zarfeve me postë ka qenë një nga më të lartët, në nivelin 85%, dhe për një herë të parë, ky proces u konsiderua i suksesshëm.