
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar kryeministrin shqiptar Edi Rama për fitoren në zgjedhje, duke theksuar mbështetjen e palëkundur të Francës për integrimin evropian të Shqipërisë.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Macron shkruan:
“Urime, mik i dashur, për fitoren tënde në zgjedhjet legjislative. Franca do të qëndrojë gjithmonë pranë Shqipërisë në rrugën e saj evropiane.”
Macron e mbyll duke rikujtuar se me Ramën do takohen këtë të premte në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
“Do të takohemi sërish që këtë të premte, për Samitin e Komunitetit Politik Europian dhe për një vizitë që duhet të na lejojë të forcojmë edhe më shumë partneritetin tonë”, shkruan Presidenti i Francës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka uruar kryesocialistin Edi Rama për fitoren.
Përmes një postimi në platformën X, Presidentja e KE thotë se Shqipëria ka bërë përparim të madh drejt BE-së nën drejtimin e Ramës.
Von der Leyen nuk e fsheh entuziazmin për ta uruar personalisht kreun e qeverisë shqiptare gjatë Samitit të Komunitetit Politik i cili do të zhvillohet në Tiranë më 16 maj.
“I dashur Edi Rama, urime për fitoren tuaj zgjedhore! Nën udhëheqjen tuaj, Shqipëria ka bërë përparim të madh drejt Bashkimit tonë. Le të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për reformat e BE-së. Shqipëria i përket BE-së! Pres me padurim t’ju përgëzoj personalisht nesër në Tiranë”, shkruan Presidentja e KE-së.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 11 Majit.
Në një postim në “X”, Costa shpreh urimet më të ngrohta për rezultatet mbresëlënëse zgjedhore, teksa shton se mezi pret që nesër të urojë personalisht Kryeministrin në Tiranë.
“Urimet më të ngrohta, i dashur @ediramaal, për këto rezultate mbresëlënëse zgjedhore. Pres me padurim t’ju përgëzoj personalisht nesër në Tiranë”, shprehet Costa.
Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan uroi sot kryeministrin Edi Rama për rezultatin në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Përmes një mesazhi presidenti i Emirateve të Bashkuara nënvizon se marrëdhëniet mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë kanë parë një rritje të fortë vitet e fundit.
Në mesazhin e tij, presidenti Nahyan shpreh bindjen për zgjerimin e bashkëpunimit dhe promovimit të zhvillimit të mëtejshëm në dobi të dy vendeve.
“Përgëzime të sinqerta kryeministrit Edi Rama për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Marrëdhëniet mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë kanë parë një rritje të fortë vitet e fundit dhe jam i bindur se së bashku do të mund të vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin dhe të promovojmë zhvillimin e mëtejshëm në dobi të vendeve dhe popujve tanë”, thuhet në mesazhin e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Më herët kryeministrin Rama e ka uruar edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, si dhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.