
Kardinalët e mbledhur në Sistinë kanë zhvilluar sot provën e parë të votimit për zgjedhjen e Papës së ri, por siç pritej, nga oxhaku i Kapelës Sistine është ngritur tymi i zi, duke sinjalizuar se asnjë kandidat nuk ka arritur kuotën e duhur të votave.
Qindra besimtarë dhe turistë janë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, me sytë drejt oxhakut historik, në pritje të shenjës simbolike që përcakton ecurinë e Konklavës. Tymi i zi, që u pa duke dalë pak minuta më parë, konfirmoi se votimi i parë nuk solli një përfundim.
Ekspertët e Vatikanit e kishin parashikuar që prova e parë do të shërbente më shumë për matjen e pozicioneve dhe përcaktimin e forcave mes blloqeve të ndryshme brenda Kolegjit të Kardinalëve. Tashmë sytë janë nga votimet e nesërme, ndërsa besimtarët vijojnë lutjet në shesh.
Konklava do të vazhdojë me dy votime paradite dhe dy pasdite, derisa të arrihet shumica e cilësuar prej dy të tretave për zgjedhjen e Papës së ri.