
“Rreth 21 mijë zarfe nuk janë dorëzuar dhe afro 11 mijë emigrantë kanë pasur probleme me adresën”, kështu deklaroi për mediat këtë të Martë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.
Pavarësisht kësaj, ai theksoi se në përgjithësi deri tani, procesi ka shkuar shumë mirë.
“Nuk mund të vihet në dyshim integriteti i votimit nga jashtë, është proces që nuk është realizuar në mënyrë perfekte, por e them pa hezitim është realizuar shumë mirë. Me gjithë respektin për standardin e zgjedhjeve në Gjermani, por atje u raportua humbja e 40 mijë votave apo problemet që patën në Austri ku pati problematika me zarfin pasi ishin të hapur. Sistemi ka funksionuar edhe pse është përgatitur në kohë të shkurtër, nuk e ka bërë askush këtë që kemi bërë ne. Ka shumë aspekte”, u shpreh kreu i KQZ-së.
U pyet se a ka patur probleme masive me votimin në Greqi, siç pretendon Partia Demokratike.
“Unë kam gjithë respektin për të gjitha partitë politike, ajo që ka rëndësi se për faktet që janë paraqitur ne kemi marrë masat. Mua nuk më vjen në mendje se çfarë duhet të bëjmë, nëse një zgjedhës nuk e ka marrë fletën e votimit, duhet ta denoncojë. Ky zgjedhës apo partitë të paraqesin faktin. Tej kësaj, nuk e di si ne si institucion apo strukturat e tjera mund të operojmë. Nuk është se ne kemi një fakt dhe nuk e kemi adresuar. Thjesht e thënë…Kini durim të presim deri në orën 19:00 të së Dielës, nuk mund të paragjykojmë procesin”, u përgjigj Celibashi. /tvklan.