
Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë dhe pushtetin vendor për abuzime masive me fondet publike, duke marrë shembull koston e ndërtimit të disa prej akseve kryesore rrugore të vendit.
Gjatë një deklarate nga Mati, Berisha theksoi se krahasimi mes projekteve rrugore tregon qartë abuzimet me fondet: “Rruga e Kombit, e shpallur nga kompania Bechtel si një nga projektet më të vështira që ka realizuar në botë, është ndërtuar me një gjerësi 27 metra dhe ka kushtuar 10 milionë euro kilometri, përfshirë tunelet e gjata të Kalimashit. Ndërsa Rruga e Arbrit, për 27 kilometra, vetëm 10 metra e gjerë, ka kushtuar 11 milionë euro kilometri, pra më shtrenjtë se Rruga e Kombit, megjithëse ka më pak tunelime e sfida inxhinierike.”
Berisha vijoi me shembuj të tjerë: “Rruga Lushnje-Fier, me 4 korsi, ka kushtuar vetëm 1 milion euro kilometri, ndërtuar nga kompani italiane. Rruga Levan-Vlorë, më e gjera në Shqipëri me 35 metra, kushtoi 2.4 milionë euro kilometri. Ndërkohë, sot kemi segmente ku një kilometër rrugë, si te Ura e Limuthit apo Unaza, shkon 17-20 milionë euro.”
Sipas tij, këto shifra tregojnë vjedhje sistematike dhe theksoi se ato para të abuzuara mund të ishin kthyer në shërbime për qytetarët, si pensione më të larta. “Vetëm 130 milionë eurot e djegësit të Tiranës, që s’ka një tullë të vendosur, janë sa 812 mijë pensione të shqiptarëve,” deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri sulmoi edhe drejtues vendorë, duke e quajtur kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj, një nga “hajdutët më të mëdhenj të qeverisjes vendore” dhe akuzoi lidhjet e tij familjare me tenderat në Tiranë, ku sipas Berishës, bashkë me Erion Veliajn janë shpërdoruar dhjetëra miliona euro.
Berisha e quajti këtë problem jo thjesht partiak, por kombëtar: “Çfarëdo bindje të kesh, nuk mund të pajtohesh me kriminelë të tillë që plaçkisin qytetarët.”