
Mark Carney është zgjedhur Kryeministër i ri i Kanadasë pas fitores së Partisë Liberale në zgjedhjet federale të mbajtura më 28 prill 2025. Carney, ish-guvernator i Bankës së Kanadasë dhe Bankës së Anglisë, mori drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Justin Trudeau dhe riktheu liberalët në pushtet me 168 vende në Parlamentin 343-vendësh.
Fitorja e tij u ndihmua nga qëndrimi i fortë ndaj komenteve të Presidentit amerikan Donald Trump për një aneksim të mundshëm të Kanadasë, të cilat provokuan reagim të gjerë në opinionin publik. Carney u zotua për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe për ndërtimin e një politike të jashtme më të pavarur.
Në mesin e reagimeve ndërkombëtare, vjen edhe ai i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, i cili përgëzoi Kryeministrin e ri përmes një mesazhi të publikuar në platformën X.
“Urime për fitoren @MarkJCarney! Shqipëria dhe Kanadaja ndajnë vlera të përbashkëta demokratike dhe lidhen nga një urë e fortë miqësie: komuniteti shqiptar që jeton e punon në Kanada. Të punojmë së bashku për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve!” – shkroi Presidenti Begaj.
Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe rolin e komunitetit shqiptar në Kanada si një urë e rëndësishme bashkëpunimi.
Fitorja e Carney sinjalizon një fazë të re në politikën kanadeze, me theks në sovranitetin, pavarësinë ekonomike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.