
Një hetim i medias së pavarur ruse ka zbuluar se Michael Alexander Gloss, 21 vjeç, djali i zëvendësdrejtoreshës së CIA-s për inovacionin dixhital, Juliane Gallina, është vrarë në Ukrainë në prill të këtij viti, ndërsa luftonte përkrah forcave ruse si mercenar.
Ngjarja kishte ndodhur më 4 prill 2024, por është bërë publike vetëm tani.
Sipas raportimit të faqes investigative iStories, Gloss ishte rekrutuar në njësitë e sulmit të ushtrisë ruse, që përfshihen në luftimet më intensive në vijën e frontit.
Ai besohet se u vendos me një regjiment ajror që ndërmerrte sulme pranë qytetit të Soledarit në lindje të Ukrainës.
Gloss, i lindur dhe rritur në një familje ushtarake në Virxhinia, ishte një ish-futbollist kolegji dhe aktivist i njohur për çështjet mjedisore dhe barazinë gjinore.
Ai kishte marrë pjesë në përpjekjet humanitare në Turqi pas tërmetit të vitit 2023 dhe ishte anëtar i grupit të majtë mjedisor “Rainbow Family”.
Në rrjetet sociale, ai kishte shfaqur qëndrime të forta kundër fashizmit dhe mbështeste publikisht Rusinë dhe Palestinën.
Raportohet se zhgënjimi i tij me politikën e jashtme amerikane, veçanërisht mbështetja për Izraelin, ndikoi në vendimin për t’u larguar dhe përfundimisht për t’u bashkuar me ushtrinë ruse.
Nekrologjia e publikuar nga familja e tij e përshkruan atë si një “shpirt luftëtar dhe zemër fisnike”, i cili “po ndërtonte udhëtimin e heroit të tij” kur humbi jetën.
Rrethanat e përfshirjes së tij në konfliktin rus në Ukrainë mbeten të paqarta, ndërkohë që vdekja e tij po ngjall pyetje të reja mbi prirjen e të rinjve perëndimorë për t’u përfshirë në konflikte të huaja./panorama