
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla mori pjesë në një takim me banorët e komunitetit me origjinë nga vendlindja e tij që jetojnë në Njësinë Administrative nr. 7 në Tiranë, në mbështetje të kandidates për deputete, Etilda Gjonaj.
Balla vlerësoi angazhimin e diasporës në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se mbi 50 mijë do të votojnë vetëm për Tiranën dhe ripërsëriti thirrjen për DHL që të respektojë kontratën me KQZ.
“Diaspora është duke shtruar themelin e një fitoreje historike të Partisë Socialiste, si për Tiranën ashtu edhe për Shqipërinë. Më shumë se 50 mijë motra e vëllezër, burra e gra në diasporë do të votojnë për Tiranën dhe afro çerek milioni në gjithë Shqipërinë.
Unë dua t’i falënderoj të gjithë ata vëllezër e motra në diasporë që tashmë e kanë marrë zarfin, e kanë plotësuar dhe e kanë nisur drejt Shqipërisë. Një pjesë ende nuk e kanë marrë dhe dje ia kam tërhequr veshin, po ia tërheq prapë sot DHL-së, që duhet t’i qëndrojë strikte kontratës që ka me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, t’i dërgojë në çdo shtëpi zarfin me fletën e votimit dhe, po ashtu, ta marrë në mënyrë që ta kapim afatin e 11 majit, ora 19:00, kur duhet të ketë mbërritur në Shqipëri, në Tiranë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve çdo votë.”
Në fjalën e tij, Balla theksoi nevojën për një mazhorancë të konsoliduar që të mundësojë përfundimin e reformave të mëdha dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Pyetja që shtrohet është: Ka ndonjë që e bën këtë diskutim? Që duhet dhe mendon që ne mund ta mbyllim marrëveshjen për të hyrë në BE me Saliun? Por kur e dorëzoi në 1997-ën, e dorëzoi Shqipërinë në zjarr, në flakë. Shqiptarët i vodhi me firmat piramidale. Shqipërinë e la në flakë. Erdhi përsëri në 2005 për fajin tonë të socialistëve, që u ndamë copa-copa dhe prodhuam në fakt edhe tradhtarë. Dhe në 2005 erdhi përsëri dhe e gjeti Shqipërinë me institucione, me çelësat në dorë dhe kur e dorëzoi në 2013, e dorëzoi përsëri dhe na la një gropë të madhe borxhesh që u deshën me vite për të larë borxhet. Tani shqiptarët këtë e kanë provuar. Sa herë duhet ta provosh që njëri s’bën?”
Balla kritikoi edhe partitë e vogla që, sipas tij, nuk kanë fuqi për të ofruar diçka reale.
“Që të bësh punë në Parlament duhen të paktën 71 vota për të bërë qeverinë dhe 84 për të bërë reforma. Parti tjetër që mund të bëjë 71 dhe 84 nuk ka përveç Partisë Socialiste. Atyre që vijnë ju kërkojnë vota për këto partizat e vogla duhet t’u thoni: Unë një votë kam. Votë për të bërë nder nuk kam! Ama votë për të bërë punë kam, për PS. Vota është investim.”
Në aspektin ekonomik, Balla u rikujtoi votuesve se me PS në qeverisje, bizneset e vogla, si ai në të cilin po zhvillohej takimi, paguajnë zero taksa deri më 2029.
“Tani del njëri, që ju e dini që unë s’e kam qejf t’ia përmend emrin se kam mbaruar punë me të, thotë: ‘Dëgjo ti, do të ngre tavanin.’ Po çfarë tavani do i ngresh ti? Ky, zero taksa me ne. Çfarë tavani do t’i ngresh ti këtij? Si i tha atij tjetrit të dividentit: ‘Dëgjo, dividentin do ta bëjmë 10 për qind.’ Ai i shkreti vuri duart në kokë. Tha: ‘Po ne e kemi 8, si do na bësh ti 10?’ A, pse tha, mirë do ta bëjmë 8. Ti po deshe tha, ma hiq fare. Do ta studiojmë. Imagjino, ky është ai programi madhështor.”
Ndërsa për pensionet, që janë dyfishuar gjatë qeverisjes socialiste premtoi se do të bëhet edhe më shumë:
“ Pensionin mesatar, e gjetëm 86 euro kur ia morëm pushtetin Saliut dhe do ta bëjmë 400 euro brenda mandatit tonë të ri.”
Kandidatura e Etilda Gjonajt, sipas Ballës është shembulli i përfaqësimit serioz dhe të përkushtuar të Partisë Socialiste, duke u bërë thirrje edhe demokratëve të bëhen pjesë e shpëtimit të madh, duke i dhënë votën Etildës dhe Partisë Socialiste.
“Imagjinoni një minutë sikur të kthehet prapë Saliu. Lanën do ta keni prapë me ndërtime pa leje, kjo është e sigurt. Prandaj, prandaj flisni, flisni me të gjithë. Unë mendoj që është koha që, për herë të parë pas 34 vitesh, të flisni edhe me demokratët, me ata demokratët 24 karatësh që i kanë ngelur. T’iu thoni: doni t’i bëni nder PD-së? Kësaj radhe i bëni nder Partisë Demokratike, asaj që ka ngelur – rahmet pastë Partia Demokratike – duke i dhënë votën Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Shpëton Shqipëria, por shpëton edhe Partia Demokratike nga Saliu.” përfundoi mesazhin e tij, Balla në njësinë nr.7 në Tiranë.