
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim për pezullimin e marrëveshjes me Bjellorusinë për heqjen reciproke të vizave, duke i dhënë fund përkohësisht udhëtimit të lirë pa viza mes dy vendeve.
Vendimi, i bazuar në Kushtetutë dhe në ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, është propozuar nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikën e jashtme të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë.
Sipas njoftimit zyrtar, pezullimi prek marrëveshjen e miratuar më 19 shkurt 2020, ndërkohë që shfuqizohet edhe vendimi i mëparshëm i datës 15 maj 2024, i cili parashikonte një pezullim të pjesshëm.
Ky vendim vjen në një kohë kur marrëdhëniet diplomatike mes BE-së dhe Bjellorusisë kanë qenë të tensionuara për shkak të çështjeve të të drejtave të njeriut dhe zhvillimeve politike në Minsk.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe është publikuar në “Fletoren Zyrtare”. Për qytetarët bjellorusë që planifikonin të vizitonin Shqipërinë, apo anasjelltas, kjo do të thotë se nga sot do të duhet të aplikojnë për vizë përpara udhëtimit.
Kjo ishte një kërkesë e Bashkimit Europian për qeverinë shqiptare.