
Krujë, 20 prill — Fundjava e Pashkëve ka sjellë një fluks të konsiderueshëm vizitorësh vendas dhe të huaj në Kalanë e Krujës, një nga monumentet më të rëndësishme historike të Shqipërisë dhe vendlindja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Turistët kanë pasur mundësi të vizitojnë muzeun historik të ndërtuar në nder të tij, duke njohur nga afër një nga figurat më të ndritura të rezistencës ndaj Perandorisë Osmane në shekullin XV.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu në kontekstin historik përfaqëson për Europën një simbol të qëndresës së krishterë ndaj zgjerimit osman dhe në shumë dokumente perëndimore është përshkruar si një “mbrojtës i Europës” ose “atlet i Krishtit”, një titull që iu dha nga vetë Papa Kalisti III.
Gjatë jetës së tij, Skënderbeu u konsiderua si një kampion i krishterimit që ndaloi përparimin osman në Ballkan. Papa, Vatikani dhe disa nga mbretërit më të fuqishëm të Europës e panë si një aleat strategjik në betejën për të mbrojtur kufijtë e kontinentit, edhe pse mbështetja shpesh ishte simbolike.
Figura e tij nuk mbeti vetëm në histori. Ajo u glorifikua edhe në letërsi dhe art. Nga kronikat e Marin Barletit, që përshkroi jetën e tij me epikë dhe pasion, e deri te shkrimtarë të mëvonshëm si Edmund Spenser dhe Voltaire, emri i Skënderbeut u përfshi në panteonin e heronjve të mëdhenj të Europës. Në periudhën e Rilindjes, ai u kthye në një simbol të qëndresës ndaj tiranisë dhe luftës për liri, ideale që përkojnë me shpirtin e kohës.
View this post on Instagram
Sot, trashëgimia e tij ruhet me krenari jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera si Italia, Kroacia, Hungaria dhe Polonia, ku figura e tij njihet si pjesë e përpjekjes së përbashkët europiane për të frenuar përhapjen osmane.
Në Greqi, ai përmendet me respekt për rolin e tij historik, ndërsa në vendet e Europës Perëndimore, figura e tij njihet përmes hulumtimeve akademike dhe përmes komuniteteve shqiptare që e kanë promovuar ndër vite.
Në këtë atmosferë reflektimi kulturor, turistët që ngjiten në kalanë e lashtë të Krujës për Pashkë nuk vizitojnë vetëm një pikë historike, por bëhen pjesë e një historie më të madhe europiane.