
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, përshëndeti zgjedhjen e Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Hirësisë së tij Imzot Joanit, nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Balla thekson se me ndihmën e Zotit, Imzot Joani do të lartësojë më tej vlerat e besimit dhe harmonisë fetare.
‘Urime hirësi Joan Pelushit për zgjedhjen nga Sinodi i Shenjtë në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Me ndihmën e Zotit, ai do të udhëheqë grigjën dhe do të lartësojë më tej vlerat e besimit dhe harmonisë fetare.”
Balla përshëndeti zgjedhjen e një Kryepeshkopi shqiptar në krye të kësaj kishe.
“Sot është një ditë e mirë për besimtarët ortodoksë në vendin tonë dhe një ngjarje e shënuar në historinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë,’ deklaron Balla.
Hirësia e tij, Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, u zgjodh me vota kanonike në mënyrë unanime si pasues i të ndjerit Kryepeshkop Anastas.
I diplomuar me rezultate të shkëlqyera në studimet teologjike në SHBA, ai u kthye në Shqipëri për të kontribuar përkrah Kryepeshkopit Anastas në rimëkëmbjen e Kishës së shkatërruar të Shqipërisë.
Ai ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i tij për 32 vjet, nga të cilat 27 vite ka shërbyer si Mitropolit i Korçës.
Imzot Joani ka dhënë kontribut në rindërtimin e Kishës, zhvillimin e arsimit teologjik dhe forcimin e veprimtarive bamirëse të Kishës.”