Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin të Gjermanisë, për të marrë pjesë në çeljen e Panairit të Turizmit, më i madhi në botë, ku Shqipëria është zgjedhur si Vendi i Nderit për vitin 2025.

Kryeministri ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të prezantuar turizmin dhe bukuritë e Shqipërisë, përmes një videoje ku Rama flet në disa gjuhë të ndryshme të botës, për të përcjellë atraksionet turistike të vendit tonë, nga detet me ujërat e kaltra, malet e larta dhe gastronominë.

Rama ka ndarë në rrjetet sociale videopërshëndetjen surprizë për Panairin e Turizmit në Berlin, ku Kryeministri shihet duke folur në disa “gjuhë që nuk i di fare”, ndërsa thotë se “duket sikur i di në mënyrë perfekte këto gjuhë, por është pak magji e Inteligjencës Artificiale”.

Në videomesazhin e tij, Kryeministri Edi Rama thekson se numri i turistëve në Shqipëri është dhjetëfishuar në 10 vitet e fundit, teksa pasqyron dhe arsyet se përse ka ndodhur bumi turistik.

“Doni të dini përse numri i turistëve të huaj në Shqipëri është dhjetëfishuar në 10 vitet e fundit? Më lejoni t’ua tregoj. Gjithçka nis me plazhe si ky, ujëra të pastra kristal, bregdet të paprekur dhe perëndime dielli, që s’do t’i harronit kurrë. Pastaj janë malet, të gjalla, të egra dhe të përsosura për adhuruesit e aventurës dhe të natyrës. Historia jonë është jetë në çdo gur, nga kështjellat e lashta te qendrat e trashëgimisë botërore të UNESCO”, u shpreh Rama.

“Qytetet tona, të gjalla, dinamike, si edhe njerëzit, të cilët ju mirëpresin ngrohtësisht si familje e vërtetë. Dhe nëse papritur dukem sikur flas në mënyrë të përsosur gjuhën tuaj, kjo është thjesht në sajë të magjisë së inteligjencës artificiale. Por më besoni, magjia e Shqipërisë është 100% e vërtetë. Kjo është arsyeja përse turizmi shqiptar është rritur aq shumë dhe nuk po ndalon së rrituri, sepse këtu nuk është se thjesht vizitoni, por zbuloni, përjetoni, vendosni kontakte. Dhe mos u mjaftoni vetëm duke dëgjuar, por ejani ta shikoni vetë. Shqipëria, jo ajo që kishit menduar. Është shumë më tepër. Zbuloni Shqipërinë përtej pritshmërive. Shqipëria, është e të gjitha ndjesive”, është ftesa e Kryeministrit Rama në mbyllje të videomesazhit.

Në këtë panair do të jenë 190 vende pjesëmarrëse dhe 5600 ekspozues, ndërsa Shqipëria turistike do të jetë sërish në qendër të vëmendjes globale.

Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, traditat në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjellë si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe oferta e turizmit të aventurës, përmes eksplorimit të shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu