
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i quajti gënjeshtra deklaratat e opozitës se mund të gjendet një zgjidhje për ata shtetas që jetojnë jashtë dhe nuk kanë dokumente biometrike.
“Sa i përket bashkëatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit, besoj biem të gjithë dakord që për një bashkëatdhetar, p.sh. që jeton në Kaliforni, për të shkuar për të rinovuar dokumentat e tij të ID të Republikës së Shqipërisë, duhet të fluturojë nga Kalifornia në New York apo Washington. Ne e zgjodhëm këtë çështje duke e bërë të mundur zgjatjen e afatit dhe dua t’i garantoj të gjithë bashkëatdhetarët që me çdo lloj dokumenti biometrik të Republikës së Shqipërisë, pasaportë apo kartë ID, të skaduar, vlefshmëria e tyre me këtë akt normativ që ka hyrë tani më në fuqi dhe Kuvendi i Shqipërisë do ta ratifikojë sot deri më 31 maj të këtij viti, dokumentat tuaj janë të vlefshëm.”
Balla shpjegoi detajet teknike të verifikimit që e bën të pamundur verifikimin e dokumenteve të lëshuara nga shtete të tjera.
“Gënjeshtra si këto që dëgjuat që shiko se edhe ju që nuk keni fare dokumenta biometrike shqiptare duhet të gjejmë një zgjidhje, e kemi thënë e stërthënë edhe vetë e dimë që është e pabëshme sepse nuk e bën dot për dokumentat biometrikë të Republikës së Shqipërisë që çdo qytetar sot vendos në platformën elektronike të regjistrimit ndjek një proces verifikimi teknik ku përfshihet edhe gjendja civile edhe kompania shtetërore Identitetek e cila përfaqëson të dhënat biometrike. Pse bëheni qesharakë, pse thoni gjëra që i dini edhe vetë që janë të pamundura për t’u realizuar. Si t’i gjejmë ne, si t’i aksesojmë sistemin e të biometrikëve të SHBA-së, të Kanadasë? Është e pamundur, e para nuk lejojnë njëherë por çështja tjetër që u ngrit këtu.”
Balla u kërkoi edhe shtetasve shqiptarë të cilëve u ka skaduar pasaporta apo karta e identitetit që t’i rinovojnë deri më 11 maj.
“Sot jemi 74 ditë nga 11 maji. Të dashur qytetarë, që deri më 11 maj ju skadon pasaporta apo karta, deri më 11 maj keni kohë për ta rinovuar. Nga e dini ju që janë 150 mijë? Për ata të cilët nga viti 2008 nuk kanë gjetur mundësinë për të bërë dokumenta biometrike, nuk e zgjidhim dot për një ditë.”