Të dielën e 12 marsit zhvillohet në Athinë Panairi i Punës me sipërmarrës e biznese shqiptare që do ofrohen për shqiptarët atje.

Panairi i punës “Puno dhe jeto aty ku ke zemrën” do të ketë të pranishëm edhe Kryeministrin Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama në rubrikën e tij “Sy m’sy’”, shpjegoi projektin e panairit duke theksuar se do të ketë vazhdimësi, duke e kthyer në traditë gjatë mandatit të katërt.

Kreu i qeverisë u shpreh i bindur se në mandatin e katërt do bëhet më shumë për emigrantët në Greqi dhe se do jetë një fillim i mbarë. Ai i ftoi shqiptarët të ktheheshin për të punuar dhe investuar, edhe nëse do të donin të zgjidhnin të qëndronin në vendin fqinj, sipas dëshirës.

Rama theksoi se synon që të lidhë procesin e negociatave për anëtarësim, me procesin e nxitjes së kthimit për të investuar në Shqipëri.

“Kemi një panair të madh në Athinë më 2 mars, në një ditë të gjatë me shumë aktivitete ku synojmë të vëmë në kontakt të drejtpërdrejtë shumë kompani shqiptare të Shqipërisë në ndërtim, turizëm dhe inovacion me bashkatdhetarët tanë në Athinë, dhe gjithë materiali do të jetë pastaj në dispozicion dhe në një faqe web online ku të gjithë do të mund hyjnë dhe të shikojnë mundësitë ku janë dhe të lidhin kontrata pune në Shqipërisë qoftë për turizmin, qoftë edhe gjithëvjetore, për fusha të ndryshme”, u shpreh Rama.

“Sfida është të thyejmë këtë stereotipin sipas të cilit pagat në Shqipëri janë shumë të ulëta, mundësitë e pakta, ta thyejmë stereotipin me fakte konkrete me pasqyra konkrete që janë të aksesueshme dhe në të cilat mund të shihen modelet e kontratave dhe kushtet”, theksoi Rama.

“Besoj se do të jetë një fillim i mbarë, natyrisht është vetëm hapi i parë, këta panaire do t’i bëjmë traditë në muajt dhe vitet e mandatit të katërt sepse do ta lidhim shumë fort gjithë procesin e negociatave për anëtarësim me procesin e nxitjes së kthimit për të investuar apo për të punuar këtu në Shqipëri. Kur flas për kthim, jo vetëm ngritjen e plaçkave dhe kthimin përfundimtar, por kam parasysh edhe kthimin e pjesshëm. Në të gjitha rastet do të jetë një përfitim reciprok qoftë për ata që kthehen qoftë për ata që investojnë kursimet e tyre këtu”, tha Rama.

Në një ndërhyrje telefonike, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja informoi se në panair do të ketë agjenci dhe institucione shqiptare që janë të specializuara për punësimin.

“Të gjithë këta do i mirëpresin ata vizitorët e bashkatdhetarët tanë me lajmë të mira me kontrata puna gjatë gjithë ditës me 2 mars”, shtoi ai.

Gonxhja bëri më dije se për herë të parë qeveria shqiptare do t’i dedikojë edhe një website diasporës mbi ofertat e punësimit.

“Po dhe jo pa qëllim tani vetë emërtohet panairi “Puno dhe jeto aty ky ke Zemrën”. Për herë të parë qeveria shqiptare i dedikon diasporës edhe një website të ri mbi ofertat e punësimit në sektorin privat por edhe publik dhe e kemi thjeshtuar në domain migrant.puna.gov.al ose punonëshqipëri.gov.al, janë dy në mënyrë që të jenë në të dy krahët të aksesueshëm, ku ofrojmë informacion të vlefshëm mbi integrimin, dhe programet mbështetëse mbi familjen strehimin formimin profesional apo edhe fillimin e një biznesi”, tha Gonxhja.
Zgjedhjet e 11 majit janë zgjedhje mes BE-së dhe kënetës.

Kështu tha Kryeministri Edi Rama sot duke iu përgjigjur qytetarëve në rubrikën “Sy m’sy” në platformat sociale. Duke folur në lidhje me disa komente për opozitën, Rama tha se të gjitha fjalët adresuara si kapaku edhe timoni e dhe kusia edhe këneta janë fjalë shqipe.

“Tregojnë thelbin ku duhet të fokusohesh t’i më shumë, sepse zgjedhja që ke me 11 maj është midis BE-së dhe kënatës. O me ne në BE ose me bufin në kënetë”, iu drejtua Rama qytetarit.

“Me bufin në kënetë e ke të sigurt që je me humbësit e ke të sigurt se nuk ke asnjë sadisfaksion, por do të hysh në borxh me veten si shqiptarët, me familjen me nipat e mbesat, do hysh në borxh me prindërit sepse të gjithë atyre u duhet Shqipëria në BE. Po jap dhe një sqarim tjetër për Shqipërinë në BE, përveçse me Shqipërinë në BE në garantojmë tre gjëra që nuk garantohen askund dhe që për ne kanë qenë halli i madh dhimbje e historisë, garantojmë të mos ketë mungesë të lirisë individuale, që sundimi i ligjit të mos jetë në diskutim dhe garantojmë që standarde demokratike të jetesës, të mos i prekë më askush”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se nga ana tjetër në BE ka dy kategori shtetesh.

“Është një kategori që janë kontribuuesish, pra shtete më të mëdha më të zhvilluara më të vjetra në BE dhe është një kategori tjetër që janë përfituesish, në momentin që një shtet i ri hyn anëtar në BE ai hyn tek përfituesit. Kontribuuesit japin, përfituesit marrin. Është si një familje ku për shtetet në kategorinë e përfituesit ka mbështetje financiare ekstra që as nuk arrijmë t’i realizojmë ne jashtë BE. Do të thotë shumë projekte në infrastrukturë, shumë, programe, zhvillime, shumë më tepër mbështetje për kulturën, për arsimin. Fokusohuni, dritaren mezi e kemi hapur jemi gati të bëjmë kapërcimin e madh historik, epokal është ngritja e dytë e flamurit kjo e hyrjes në BE është pavarësia e dytë e Shqipërisë, prandaj ju lutem lërini broçkullat edhe fokusohuni ju që fokusohuni te gjinkalla të kënetës”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka garantuar se Shqipëria do të vazhdojë të ketë një marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai theksoi se mbështetja amerikane do të jetë e dukshme, duke iu referuar ngjarjeve të kaluara ku kritikët e tij ishin të shqetësuar për ndryshimet në politikën amerikane, veçanërisht pas mandatit të parë të Donald Trump.

Rama i kujtoi të pranishmëve se kur Trump mori mandatin e parë, atij i ishte thënë se do të hiqej nga pushteti, por se si ka vazhduar puna që atëherë, sipas tregon një tjetër histori.

“Do ta shihni Amerikën, mos kini merak. Do ta shihni edhe marrëdhënien me Amerikën edhe mbështetjen e saj. Do t’i shikoni siç i keni parë, por ju nuk mbani mend. E keni kujtesën e dobët ju, sepse ju mban këneta peng.

A ju kujtohet që kur mori Donald Trump mandatin e parë, m’u çuan mua në Parlament dhe më thanë: ik vetë tani se do vijë Trump të të marrë zvarrë! Si vazhdoi puna? Apo kësmet…”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se falë vizionit të PS sot flitet për luftë kundër korrupsionit në Shqipëri.

Në bashkëbisedimin “Sy m’ Sy” me qytetarët, Rama u shpreh se, nëse sot ka ardhur dita që të flitet për luftë kundër korrupsionit dhe për ministra dhe për njerëz të lidhur me pushtetin të hetuar dhe në gjykim apo të gjykuar, ka ardhur sepse këtë ditë e solli Partia Socialiste.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “këtë ditë e solli kjo forcë qeverisëse, këtë ditë e solli kjo vendosmëri, këtë ditë e solli kjo ambicie dhe ky vizion për të hyrë në Bashkimin Evropian”.

“Kështu që fokusohuni tek kjo. fokusohuni tek ky mision patriotik, lërini broçkullat dhe mos humbni kohë me kënetën dhe me llumin e kënetës, por fokusohuni tek ky mision historik. Kryeministrat venë dhe kryeministrat vijnë”, u shpreh Rama.

“Mua do më duhet të rri dhe pak dakord, të rri dhe pak sepse duhet ta përmbush dhe ta përmbushim këtë mision. Nuk mund të luajmë me fatin. E kemi krijuar këtë fat, por edhe na është krijuar ky fat nga rrethanat e Evropës”, theksoi Rama.

Rama u shpreh se, “është momenti për të marrë hak për të gjithë poshtërimet që i janë bërë në breza kombit shqiptar, popullit shqiptar nga të huaj dhe nga vetja. Më shumë nga vetja se nga të huaj, por sot hakmarrja ka emër, ka destinacion, ka një mision që quhet Shqipëria në BE, Shqipëria anëtare e BE”.

“Tjetër është të lëvizësh me pasaportën shqiptare në BE, tjetër është të kesh një pasaportë të BE-së. Tjetër është të jesh një fëmijë shqiptar në Evropë, tjetër është të jesh një fëmijë shqiptar në BE. Tjetër është të jesh një vajzë dhe një djalë që studion në BE dhe je nga Shqipëria, tjetër është të jesh një vajzë dhe një djalë që studion në Shqipëri dhe je nga BE-ja”, tha Rama, duke u bërë thirrje qytetarëve të fokusohen tek ky mision.

“Ky është misioni ynë. Lërini këto të tjerat. Të gjitha i merr era, janë kot, janë humbje kohe, janë turpe, nxirrni fjalë pa lidhje, bëheni zëdhënës të kënetës, bëheni papagaj, gjinkalla, insekte të kënetës. Mendoni si shqiptarë, mendoni si patriotë, mendoni si njerëz që kanë fatin të jetojnë në këtë moment, kur me një kontribut të tyre mund të shtyjnë Shqipërinë përpara dhe mund të fusin Shqipërinë në BE vetëm me këtë forcë politike dhe me asnjë tjetër se të tjerat nuk janë forca politike, janë çeta, janë grumbullime njerëzish, janë shfryrje ambiciesh ose shfryrje inatesh. Nuk janë inatet programe. Nuk janë mllefet programe, nuk janë luftërat personale programe. Nuk të çojnë asgjëkund. Nga ato janë bërë historikisht çorap shqiptarët”, iu drejtua Rama qytetarëve.

Në vitin 2016 aksesi në aviacion i rezidentëve në Republikën e Shqipërisë ka qenë 6.7%, ndërkohë që në vitin 2024 është rritur në 32%.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama gjatë përgjigjeve live të pyetjeve të adresuara në platformat sociale, ku u ndal tek ecuria e ekonomisë.

“Është një nivel aspak i ulët, është një nivel që ia afrohet mesatares së vendeve të BE-së që janë vende më të reja. Natyrisht nuk flasim për Gjermaninë këtu. Pra çfarë thotë kjo? Që është rritur apo ka rënë ekonomia. Nga ana tjetër kjo thotë edhe një gjë që kemi bërë një punë të jashtëzakonshme sepse ju kujtohet se çfarë merri ishte me kostot e fluturimeve në Shqipëri për shkak të koncesionit të aeroportit tek një kompani kineze”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sot jemi në kushtet që kemi një aeroport të aksesueshëm ku nga Mali i Zi , Maqedonia e Veriut, Kosova vijnë në Rinas për të fluturuar sepse është më lirë se në vendet e tyre”.

“Këtë e kemi realizuar ne me politikën tonë të hapjes dhe të rritjes së konkurrencës duke dalë nga kurthi i një koncesioni të vjetër që për një kohë të gjatë i mori shpirtin shumëkujt që fluturoi për Shqipëri dhe në radhë të parë atyre që vinin në Shqipëri nga emigracioni”, tha Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur gjithashtu se “kur ne kemi marrë ne detyrën kishte 117 mijë subjekte biznesi sot ka 250 mijë subjekte biznese. Kjo tregon se jemi më mirë seç kemi qenë kurrë ndonjëherë natyrisht në raport me vetveten se duhet të jemi më mirë kjo nuk diskutohet ndaj jam këtu prandaj vazhdon beteja”./atsh

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu