
Ish-kandidati prorus për president, Călin Georgescu, është ndaluar nga policia në trafik dhe është dërguar për marrje në pyetje në Prokurorinë e Përgjithshme.
Për të është lëshuar një urdhër shoqërimi. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të mërkurën pasdite se ka filluar ndjekjen penale ndaj tij, ku ndër të tjera e akuzon: për nxitje të veprimeve kundër rendit kushtetues, komunikim të informacionit të rremë, falsifikim në deklarata dhe promovim të personave të akuzuar për gjenocid.
Călin Georgescu është akuzuar nga prokurori i çështjes për disa vepra penale, duke përfshirë: nxitje për veprime kundër rendit kushtetues mbetur në tentativë , komunikim të informacionit të rremë, falsifikim në deklarata në mënyrë të përsëritur, krijim ose mbështetje të një organizate me karakter fashist, racist ose ksenofob, promovim publik të kultit të personave të dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, si dhe krijim ose mbështetje të një organizate me karakter antisemit.
Në një komunikatë për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se ka nisur ndjekjen penale ndaj tij për këto akuza, duke përfshirë edhe shkelje të ligjeve specifike mbi financimin e fushatës elektorale dhe deklaratat e pasurisë.
Călin Georgescu, kandidati i pavarur me ide të ekstremit të djathtë, ka fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani, duke befasuar shumë njerëz. Suksesi i tij i detyrohet kryesisht strategjisë në TikTok, ku videot e tij të thjeshta, por efektive, kanë tërhequr miliona shikime. Këto zgjedhje u anuluan nga Gjykata Kushtetuese e Rumanisë në muajin dhjetor 2024.