
Gjykata e Sarandës vendosi masën “arrest në burg” për 42-vjeçaren Silvana Osmani dhe 39-vjeçaren Luljeta Doda të arrestuara nga policia pas një operacioni të koduar “Silent Watch”.
Ndalimi i tyre u bë pas rreth dy muajsh hetime për shfrytëzimin e një shtetaseje të mitur për prostitucion. Prokurorja e çështjes Besjana Sadikaj ka kërkuar si masë “Arrest në burg”.
Këtë masë ka kërkuar edhe gjyqtari Fatmir Ndreu, ndërsa e kanë quajtur të ligjshëm ndalimin e tyre. Seanca vijoi për rreth 3 orë.
Në përfundim të seancës avokati Armand Çaushi u shpreh: “U vlerësua i ligjshëm arrestimi në flagrancë dhe u caktua si masë “Arrest në burg”, për shkak se kjo është një çështje se ka komplikime dhe ka dhe viktima të mitura nuk mund të japim dot më asnjë detaj për çështjen. Është masë sigurie që ngrihet mbi dyshime. Për të tjerat nuk mund të flas dot në këtë fazë”.
-Ndërsa avokati tjetër, Brigels Dervishi deklaroi: “Sot ishte seanca për vlerësimin si të ligjshëm apo të paligjshëm të arrestimit të të dyshuarave. Ne në fakt jemi njohur me detajet e dosjes por nuk mund të japim dot në këtë fazë detaje. Ne mohuam kategorikisht rastin për klientët, por gjykata vendosi si masë “Arrest në burg”. Tanimë ne na lind e drejta t’i drejtohemi apelit”./abc lajme